Vendimet e mëdha të zemrës

“Princat e Isakarit erdhën me Deboran; ashtu siç ishte Isakari, kështu qe edhe Baraku; ata u hodhën në luginë në gjurmët e saj. Ndër divizionet e Rubenit, të mëdha ishin vendimet e zemrës! Pse mbete ti midis të ngujuarve për të dëgjuar fyellin e barinjve? Midis divizioneve të Rubenit, të mëdha ishin vendimet e zemrës! Galaadi ndaloi matanë Jordanit; po Dani pse mbeti mbi anijet? Asheri u vendos pranë bregut të detit dhe mbeti në portet e tij” (Gjyqtarëve 5:15-17).

Parathënie                   

Popullit të Izraelit i ishte dhënë urdhër që ta dëbonte dhe ta shfaroste tërë popullsinë kanaanite prej Tokës së Premtuar. Por, fatkeqësisht, ata nuk e kryen detyrën që iu kishte caktuar Zoti dhe zgjodhën rrugën humanitare, duke menduar se do të ishin në gjendje ta nënshtronin e ta mbanin vetë nën kontroll popullsinë e Kanaanit. “Më vonë, kur Izraeli u bë i fortë, i nënshtroi Kananejtë dhe i bëri skllevër, por nuk i dëboji krejt” (Gjyqtarëve 1:28). Një mosbindje e tillë ndaj urdhërimit të Perëndisë kishte për t’i kushtuar shtrenjtë Izraelit në të ardhmen. “Por Engjëlli i Zotit u ngjit nga Gilgali në Bokim dhe tha: “Unë ju nxora nga Egjipti dhe ju çova në vendin që isha betuar t’u jepja etërve tuaj. Kisha thënë gjithashtu: “Nuk do ta prish kurrë besëlidhjen time me ju. Por ju nuk do të lidhni asnjë aleancë me banorët e këtij vendi dhe do të shembni altarët e tyre”. Por ju nuk iu bindët zërit tim. Pse e bëtë këtë? Kështu unë po ju them tani: Unë nuk do t’i dëboj para jush; por ata do të jenë si gjemba në ijet tuaja, dhe perënditë e tyre do të jenë për ju si një lak” (Gjyqtarëve 2:1-3). Kështu, pra, Izraeli kujtoi se do ta sundonte Kanaanin me forcat e veta, por, përkundrazi, ishin paganët ata, që e helmuan popullin e Perëndisë me idhujtarinë e tyre.

Historia

Libri i Gjyqtarëve është i mbushur plot e përplot me tregime rreth ngritjes dhe rënies së Izraelit si komb. Kishte raste kur populli pendohej për mëkatin dhe kthehej përsëri tek Zoti. Por s’kalonte shumë kohë dhe ata shpejt e harronin Perëndinë dhe merrnin vendim për të mos e ndjekur më Atë. Perëndia i qortonte izraelitët, duke i lejuar armiqtë e tyre, (kanaanitët, midianitët, amonitët dhe filistenjtë) që t’i pushtonin dhe t’i kthenin në skllevër. Por, sapo izraelitët i thërrisnin Zotit me zemra të mbushura plot pendim, Ai iu dërgonte një gjyqtar (një shpëtimtar), që t’i çlironte prej skllavërisë. Në momente të tilla ringjalljeje, populli kishte paqe, begati dhe siguri. Është vërtet për të të ardhur keq, pra, kur populli i Perëndisë shumë shpejt ia kthente kurrizin Atij dhe zbatonte ritet dhe zakonet e kombeve të tjera pagane. Izraelitët donin të ishin njëlloj si kombet e tjera dhe paguan një çmim shumë të lartë për këtë dëshirë të tyren! Perëndia vërtet që i pranonte, kur ata ktheheshin tek Ai, por, sa herë që ngrinin krye kundra Zotit, fuqia e tyre si komb dobësohej gjithnjë e më shumë.

E shohim, pra, se si izraelitët ishin një komb kokëfortë, por le të mos kujtojmë se jemi ne më të mirë sesa ata! “Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shëmbull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokët” (1 Korintasve 10:11). Edhe ne i premtojmë Zotit se do t’i shërbejmë dhe do t’i bindemi, por shumë shpejt e harrojmë premtimin? Pendohemi pastaj për mëkatin, por shumë shpejt mëkatojmë përsëri!

Gëzimi

Izraelitët ishin të bekuar. Perëndia iu kishte dhënë një Tokë të Premtuar, ku mund t’i shërbenin Atij. Vërtet që ishin të rrethuar nga të gjitha anët prej armiqve të shumtë, por Zoti iu kishte premtuar se do t’iu jepte fitore. Atyre nuk iu mbetej gjë tjetër, veçse t’i bindeshin Atij. Ne mund të mos kemi një copë tokë tonën e, megjithatë, premtimet që na ka bërë Zoti, janë po aq të vërteta, saç ishin edhe për Izraelin. Mbretëria që Perëndia na themeluar në zemër, është një mbretëri shpirtërore dhe armiku i shpirtrave tanë kërkon që të na e grabisë. “Sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore” (Efesianëve 6:12). Nuk po luftojmë kundra njerëzve, as nuk po përpiqemi të marrim nën zotërim një mbretëri tokësore. Si besimtarë që jemi, duhet të tregohemi vigjilentë dhe të mos e lejojmë armikun që të na shkatërrojë. Historia e lashtë e Izraelit duhet të na shërbejë si shembull, që të mos i përsërisim gabimet e tyre.

Tek Gjyqtarëve, kapitulli 4, lexojmë se si izraelitët ngritën krye kundra Zotit dhe, si pasojë, u pushtuan prej Jabinit, mbretit të kanaanitasve. “Prej njëzet vjetve shtypte rëndë bijtë e Izraelit” (Gjyqtarëve 4:3). Kur nuk e duruan dot më një tutelë të tillë, izraelitët i thirrën Zotit dhe Ai iu dërgoi Deboran dhe Barakun për t’i çliruar.

Refuzimi

Izraeli korri një fitore të madhe kundra armikut nëpërmjet Deboras dhe Barakut. Tek kapitulli 5-ë i Gjyqtarëve lexojmë këngën triumfatore të Deboras, në të cilën ajo ngazëllohet dhe i jep lavdi Perëndisë, duke i bekuar në të njëjtën kohë edhe fiset e Izraelit, që u bashkuan për të luftuar. Por Debora i qorton ashpër ato fise që nuk erdhën në betejë. Fiset e Rubenit, të Danit dhe të Asherit nuk pranuan që të luftonin kundra Siseras. Për Rubenin na thuhet se ata “nuk i shkuan në ndihmë Zotit, në ndihmë të Zotit në mes të trimave të tij!” (Gjyqtarëve 5:23). Na thuhet gjithashtu se vendimet e zemrës së këtij fisi ishin të mëdha e megjithatë, kur erdhi puna për të luftuar, anëtarët e tij nuk iu shkuan fare në ndihmë fqinjëve të tyre. Ndoshta ata në fillim u treguan patriotë dhe u mblodhën për të vendosur se ç’mund të bënin për t’i ndihmuar vëllezërit e tyre. Por më në fund, u treguan egoistë dhe ndërruan mendje.

Në kohën e Jozueut, çdo fis u ngrit në këmbë për ta mbrojtur Izraelin, por pas një periudhe të gjatë rebelimi dhe kryengritjeje kundra Zotit, vetëm gjysma e fiseve iu përgjigj thirrjes së Barakut për të luftuar. Një situatë e tillë i ngjan shumë edhe asaj në të cilën ndodhen kishat e sotshme. Kur të krishterët thirren për t’i shërbyer Perëndisë, shumica ikin me vrap, duke u justifikuar se nuk kanë kohë! Lavdi Zotit për ata, që ia kanë përkushtuar jetën Atij dhe janë me të vërtetë seriozë në besim! Fatkeqësisht, të shumtë janë ata besimtarë, të cilët i ngjasojnë Rubenit, i cili mbeti “midis të ngujuarve për të dëgjuar fyellin e barinjve” (Gjyqtarëve 5:16). Edhe Dani dhe Asheri nxorrën justifikime, por në fakt, atyre iu pëlqente më shumë rehati sesa lufta! Asnjëri prej atyre fiseve që nuk i ndihmoi vëllezërit, nuk mori asnjë lloj lavdie, kur u korr fitorja. Le të mos veprojmë si ata. “Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde, sepse në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri” (Predikuesit 9:10). Edhe vendimet e zemrës sonë duhet të jenë të mëdha – duhet ta ndjekim me besnikëri Zotin dhe t’i shërbejmë Atij, kudo që të na thërrasë. 

Përfundim                                                         

Ato fise, që e refuzuan thirrjen për t’i shërbyer Zotit, u mallkuan. “Mallkoni Merozin,” tha Engjëlli i Zotit, “mallkoni, mallkoni banorët e tij, sepse nuk i shkuan në ndihmë Zotit, në ndihmë të Zotit në mes të trimave të tij!” (Gjyqtarëve 5:23). Ato fise, që pranuan të luftonin, u bekuan. Nuk jemi thirrur për ta mbyllur veten me kyç brenda dhomës, ngaqë beteja jonë kundra kësaj bote është shumë e vështirë. Përkundrazi, na është dhënë urdhër për të shkuar dhe për të luftuar kundra armikut. Zoti Jezus Krisht nuk na tha që të qëndrojmë, por që të shkojmë! Nëse e kemi dëgjuar thirrjen e Tij për luftë, atëherë le të bëjmë pikërisht atë që na kërkon Ai. “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19-20). Ndoshta edhe neve na duhet të marrim vendime të mëdha në zemër, por le të mos veprojmë si fiset rebele të Izraelit. Le të marrim vendim për t’iu bindur zërit të Gjyqtarit tonë të Fuqishëm.

Mbrapa