Vendimi i Davidit

“Atëherë mbreti i tha Joabit: “Ja, do të bëj pikërisht këtë. Shko, pra, dhe bëj që të kthehet i riu Absalom. Atëherë Joabi u shtri me fytyrën për tokë, u përul dhe e bekoi mbretin. Pastaj Joabi tha: “Sot shërbëtori yt kupton se ka gjetur hirin tënd, o mbret, o imzot, sepse mbreti bëri atë që shërbëtori kishte kërkuar”. Kështu Joabi u ngrit dhe shkoi në Geshur, dhe e solli Absalomin në Jeruzalem. Por mbreti tha: “Të mblidhet në shtëpinë e tij dhe të mos e shohë fytyrën time!”. Kështu Absalomi u tërhoq në shtëpinë e tij dhe nuk e pa fytyrën e mbretit. Në të gjithë Izraelin nuk kishte njeri që ta lavdëronin më tepër për bukuri se sa Absalomit; nga tabanët e këmbëve deri në majën e kokës nuk kishte asnjë të metë tek ai. Kur priste flokët (dhe këtë e bënte çdo vit sepse flokët i rëndonin shumë), ai i peshonte flokët e kokës së tij; ato peshonin dyqind sikla simbas masave të caktuara nga mbreti. Absalomit i lindën tre djem dhe një vajzë e quajtur Tamara, që ishte e hijshme. Absalomi banoi dy vjet në Jeruzalem, pa e parë fytyrën e mbretit. Pastaj Absalomi thirri Joabin për ta dërguar te mbreti, por ai nuk deshi të vinte; e dërgoi ta thërriste një herë të dytë, por ai nuk deshi të vinte. Atëherë Absalomi u tha shërbëtorëve të tij: “Ja, ara e Joabit është pranë arës sime dhe aty ka elb; shkoni t’i vini zjarrin!”. Kështu shërbëtorët e Absalomit i vunë zjarrin arës. Atëherë Joabi u ngrit, shkoi në shtëpinë e Absalomit dhe i tha: “Pse shërbëtorët e tu i vunë zjarrin arës sime?”. Absalomi iu përgjigj Joabit: “Unë të kisha dërguar fjalë: “Eja këtu, që të kem mundësi të të dërgoj te mbreti për t’i thënë: Pse jam kthyer nga Geshuri? Do të kishte qenë më mirë për mua të kisha mbetur atje”. Tani më lejo të shoh fytyrën e mbretit. Në rast se tek unë ka ndonjë paudhësi, ai të shkaktojë vdekjen time”. Joabi shkoi atëherë te mbreti dhe ia tregoi çështjen. Ky thirri Absalomin që shkoi te mbreti dhe ra përmbys me fytyrën për tokë përpara tij; dhe mbreti e puthi Absalomin” (2 Samuelit 14:21-33).

Parathënie   

Nga studimi i kaluar, e kuptojmë se ishte Joabi ai, që e bëri të mundur kthimin e Absalomit në Jeruzalem. E megjithatë, kjo gjë nuk do të kishte ndodhur, po të mos e kishte miratuar mbreti një vendim të tillë. Joabi ishte dinak dhe ia kishte gjetur përgjigjen çdo lloj pyetjeje, që mund t’i bënte Davidi. Ai kishte besim se Absalomi do të vinte në shtëpi.

Arritja e Absalomit

Vargu në hyrje të këtij studimi na tregon se Davidi bëri një kompromis me Joabin, lidhur me Absalomin. Ai mund të kthehej prej mërgimit, por nuk do t’i lejohej që të shkonte në pallatin mbretëror, d.m.th. Davidi nuk donte t’ia shihte fytyrën. Davidi tanimë e kishte kompromentuar veten, kur kishte qenë fjala për ligjin, duke e lejuar Absalomin që të jetonte. Prandaj edhe ky kompromentim i dytë ishte vazhdimësi e të parit. “Davidi, duke e falur të birin, po vepronte si një despot i mesjetës, jo si një mbret kushtetues i Izraelit” (Nga autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun). Shpirtbutësia e tij i hapi rrugën luftës së ardhshme civile, në të cilën vdiqën 20.000 vetë (2 Samuelit 18:7). A nuk e dëgjojmë dot të qeshurën e djallit, kur Joabi i bën lajka Davidit, duke i thënë se ka marrë një vendim të drejtë? Edhe pse Joabit iu plotësua dëshira, prapëseprapë ai nuk u ngop me aq, por donte që Davidi të kompromentohej edhe më shumë, derisa ta sillte Absalomin në pallatin mbretëror.

Pamja e jashtme e Absalomit

Autori i 2 Samuelit na bën një përshkrim të pamjes së jashtme të Absalomit, për të të na treguar arsyen se përse ishte ai kaq i famshëm në Izrael. Absalomi i bënte njerëzit për vete, jo me mençurinë apo diturinë e tij, por me bukurinë që kishte. Këtë bëjnë edhe politikanët e sotshëm dhe popullsia fillon e i gjykon ata nga pamja e jashtme, jo nga vlera, që kanë. Pothuajse të gjithë shikonin vetëm Absalomin e pashëm, duke i neglizhuar cilësitë e liga të karakterit të tij. Absalomi i priste flokët vetëm një herë në vit, ndaj edhe i rriteshin dhe mund t’i peshonin gati 2.27 kg. Aq shumë krenohej me flokët, saqë donte që të gjithë ta dinin sesa peshë të madhe i kishin. Mund ta imagjinojmë sesa shumë mund të ketë vuajtur, sidomos në muajt e verës, me ato flokë të gjata, që mund t’i bëheshin barrë. Por moda e flokëve e bënte të famshëm dhe ai atë donte. A nuk veprojnë njëlloj edhe ata, që i shkojnë pas modës sot? Disa sugjerojnë se dyqind sikla ishte jo vetëm pesha e flokëve të tij, por edhe vlera monetare e tyre. “Disa e konsiderojnë këtë shumë jo si peshën e flokëve, por si çmimin e tyre” (Gjon Uesli).

Fëmijët e Absalomit përmenden këtu për të na treguar se edhe ai vetë kishte probleme si baba. Kishte tre djem, por, me sa duket, ata i vdiqën në moshë të vogël, sepse tek 2 Samuelit 18:18 lexojmë: “Absalomi, sa qe gjallë, i kishte ngritur vetes një monumet në Luginën e Mbretit, sepse thoshte: “Unë nuk kam djalë që të ruajë kujtimin e emrit tim”. Kështu i dha emrin e tij këtij monumenti, që edhe sot quhet “monumenti i Absalomit“. E bija, Tamara, me të njëjtin emër si e motra e Absalomit, i kishte ngjarë të atit për nga pamja e jashtme, por a i kishte ngjarë, vallë, ajo tezes së saj, për nga mençuria dhe karakteri?

Inati i Absalomit

Absalomi nuk ishte i kënaqur me vendimin e të atit, ndaj edhe pasi e duroi për dy vjet me rradhë, i tha Joabit, që t’i fliste mbretit, që ai t’i bënte ca lëshime. As Davidi, as Joabi nuk po ia vinin veshin dhe kjo e inatosi Absalomin edhe më shumë. Vendosi që t’iua tërhiqte të gjithëve vëmendjen, duke ia djegur Joabit fushën e elbit. Fakti që Absalomi e thirri pranë vetes Joabin, tregon se Joabi ishte akoma shumë i ngushtë me mbretin dhe kishte mundësi t’ia ndërronte mendjen. Absalomi, më në fund, mori atë që dëshironte, por kjo dëshirë i kushtoi jetën, kur u vra prej vetë Joabit (2 Samuelit 18:14-15). Fjalët e Absalomit, tek thotë që më mirë të mos kishte ardhur fare në Jeruzalem, janë fjalë, që dalin prej një zemre, të mbushur me vetë-keqardhje, pa e kuptuar në fakt se ai po thoshte të vërtetën, sepse më mirë do të kishte qenë për të gjithë, po qe se ai do të kishte ndenjur në mërgim. Tha se situata në të cilën ndodhej, ishte e papërballueshme, ndaj edhe më mirë të vdiste.

Pranimi i Absalomit

Joabi i foli Davidit për hatër të Absalomit dhe atij iu lejua, që të vinte në praninë e mbretit për herë të parë, që prej pesë vjetësh. Absalomi u përmbys me respekt para të atit, por zemrën e kishte plot kokëfortësi dhe, pavarësisht nga mëkatet që kishte kryer, Davidi e pranoi, duke e puthur. Kjo puthje do të thoshte: “Të shkuara, të harruara”, edhe pse Absalomit nuk i doli as edhe një fjalë pendimi nga goja. Dashuria e Davidit për birin e tij ia zuri vendin drejtësisë. Ai ishte gati t’i neglizhonte gabimet e shumta të të birit dhe karakterin e tij të ligë. A nuk e shohim se si prindi ia plotëson dëshirat atij fëmije, që ka teka e inatoset shpejt?       

Përfundim

Kompromentimi i Davidit, lidhur me Absalomin, nuk zgjidhi gjë punë. Në fakt, një veprim i tillë i acaroi edhe më shumë gjërat në të ardhmen. Davidi vërtet e fali Absalomin, por Absalomi kurrë nuk e fali Davidin, për mënyrën se si e kishte trajtuar. I biri u tregua mosmirënjohës dhe i pabindshëm dhe kishte për ta pësuar një ditë. E dimë se të gjitha këto probleme, me të cilat u ballafaqua Davidi, kishin të bënin me qortimin, që Perëndia i kishte bërë atij, nëpërmjet asaj që i kishte profetizuar profeti Nathan.

Mbrapa

Advertisements