Vepra edhe më të mëdha

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati” (Gjoni 14:12).

Parathënie

Në hyrje të këtij studimi, le të lexojmë Markun 6:1-13. “Pastaj doli prej andej dhe erdhi në vendlindjen e tij, dhe dishepujt e vet e ndiqnin.Dhe kur erdhi e shtuna, filloi t’i mësojë në sinagogë. Dhe shumë, kur e dëgjonin, habiteshin dhe thoshnin: “Nga i vijnë këtij këto? Vallë ç’dituri është kjo që i është dhënë? Dhe si kryhen këto vepra të mëdha nëpërmjet dorës së tij? A s’është ky zdrukthëtar i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Joses, i Judës dhe i Simonit? Dhe nuk janë këtu midis nesh motrat e tij?”. Dhe skandalizoheshin për shkak të tij. Por Jezusi u tha atyre: “Asnjë profet s’është i përbuzur përveç në vendlindjen e tij, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet”.Dhe nuk mundi të kryejë aty asnjë vepër të pushtetshme, përveçse shëroi disa të lëngatë, duke vënë mbi ta duart. Dhe çuditej për mosbesimin e tyre; dhe dilte nëpër fshatra përreth e i mësonte. Pastaj ai i thirri te vetja të dymbëdhjetët dhe filloi t’i dërgojë dy nga dy; dhe u dha pushtet mbi frymët e ndyra. Dhe i urdhëroi të mos marrin asgjë tjetër udhës, përveç një shkop vetëm: as trasta, as bukë, as denar në brez; dhe të mbathin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë tunika. U tha akoma: “Kudo që të hyni në një shtëpi, rrini aty derisa të largoheni nga ai vend. Në qoftë se disa nuk ju presin dhe nuk ju dëgjojnë, kur të largoheni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre. Në të vërtetë ju them se ditën e gjyqit Sodoma dhe Gomorra do të trajtohen me më shumë tolerancë se sa ai qytet”. Kështu ata shkuan dhe u predikonin njerëzve që të pendoheshin; dhe dëbonin shumë demonë dhe vajosnin me vaj shumë të lëngatë dhe i shëronin.

Çfarë bëri Jezusi?

Ndoshta na vjen çudi që Jezusin nuk e mirëpritën në vendlindjen e tij. Madje edhe familja e Vet e kishte të vështirë ta besonte se Ai ishte Mesia plot autoritet. U ofenduan, që ishte kthyer në shtëpi, për të shkaktuar, sipas tyre, vetëm trazira. Nuk donin që të bëheshin skandali i botës, për shkak të Jezusit! S’është çudi, pra, që Jezusi nuk ishte në gjendje të bënte ndonjë vepër të madhe në atë qytet, me përjashtim të shërimit të disa të sëmurëve. Ai u habit me nivelin e mosbesimit të tyre.

Kur e lexojmë Biblën, nuk habitemi që Jezusi shëroi të sëmurë, dëboi demonë dhe ngriti të vdekurit prej varri. Arsyeja pse nuk habitemi është kjo: ne besojmë se Ai është Biri i Perëndisë. Por ajo që na habit, është fakti se Jezusi nganjëherë nuk mund t’i bënte dot vepra të tilla të pushtetshme. Nuk e kishte fajin Ai, por përkundrazi, ishte mungesa e besimit të njerëzve, që e ndalonte Jezusin të vepronte me fuqi. Në Nazaret, ai mësoi dhe veproi njëlloj siç kishte mësuar dhe vepruar edhe në fshatra dhe qytete të tjera, por këtu njerëzit nuk ishin gati ta dëgjonin e të mësonin prej Tij. Nazareti manifestoi një “zemër të ligë mosbesimi” (Hebrenjve 3:12), ndaj edhe nuk mori dot bekimet që Krishti donte t’i jepte.

Nëse mosbesimi i të tjerëve i bëhet pengesë punës së Zotit Jezus, atëherë të njëjtën gjë duhet të presim edhe prej botës, e cila vazhdon ta hedhë poshtë Atë. Mund të lutemi për të humburit, mund të bëjmë të pamundurën për t’iua futur atyre në zemër fjalën e Perëndisë, por gjithmonë do të ketë nga ata, të cilët nuk kanë për ta besuar ungjillin dhe nuk kanë për t’u shpëtuar. Atëherë e kanë ata fajin, jo ne. “Por në rast se ti e paralajmëron të pabesin që të largohet nga rruga e tij dhe ai nuk largohet prej saj, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por ti do ta shpëtosh shpirtin tënd” (Ezekieli 33:9). Le të mos e harrojmë faktin se edhe vetë Jezusi e gjeti veten në një pozitë të tillë, ndaj edhe nuk duhet të zhdekurajohemi. Nganjëherë na duhet që të largohemi prej këtyre njerëzve dhe t’i lëmë ata në duart e Perëndisë. Kanë për të dalë të tjerë, që kanë për ta pranuar të vërtetën. “Nëse disa nuk ju pranojnë, duke dalë prej atij qyteti, shkundni edhe pluhurin nga këmbët tuaja, si dëshmi kundër tyre” (Luka 9:5).

Çfarë bëri pastaj Jezusi?

Zoti e lejoi që të ndodhte kjo ngjarje, me qëllim që t’iu mësonte dishepujve një mësim të rëndësishëm: gjërat nuk shkojnë gjithmonë si në vaj! E vëmë re se e ashtu-quajtura “disfatë” e Tij ndodhi, para se dishepujt të kishin sukses në predikimin, shërimet dhe kryerjen e veprave të tjera të tyre. Jezusi iu dha gjithçka që kishin nevojë për t’iu shërbyer të tjerëve, d.m.th. iu dha fuqinë dhe autoritetin e Tij. Vërtet që gjërat nuk shkuan si në vaj, edhe pas këtij suksesi të hershëm. Në fakt, në një rast, besimi i nëntë prej tyre nuk ishte i mjaftueshëm për të dëbuar një demon (Luka 9:18). Në shumicën e rasteve, disfatat që përjetuan dishepujt, kishin të bënin me mungesën e besimit të tyre.

Jezusi shëroi “disa”, kurse ata shëruan “shumë veta”. Jezusi ishte Biri i Perëndisë, kurse ata ishin thjesht dishepujt e Tij – jo gjithmonë besnikë ndaj Zotit të tyre. Njëri do ta tradhtonte; një tjetër do ta mohonte tre herë; të gjithë do ta braktisnin, kur Ai kishte më shumë nevojë për ta. Por kur i vunë në praktikë fjalët e Tij, patën sukses! Marku na paraqet një grup dishepujsh, të cilët manifestuan të gjitha disfatat, gabimet dhe problemet, me të cilat ballafaqohemi edhe ne sot në jetën tonë të përditshme. E megjithatë, Jezusi zgjodhi pikërisht dishepuj të tillë, që të shkonin e të kryenin vepra edhe më të mëdha. Ata nuk ishin trima, apo të disiplinuar, apo të shenjtë, por kur iu bindën Zotit, atëherë ndodhën mrekullitë! Jezusi nuk iu premtoi vetëm dishepujve se do të ishin vetëm ata, që do të kryenin vepra edhe më të mëdha. Përkundrazi, ky premtim është i vlefshëm edhe për të gjithë ata sot, që janë gati ta ndjekin Zotin, t’i besojnë dhe t’i binden Atij. “Pastaj u tha atyre: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese; ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar. Dhe këto janë shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t’i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja; do t’i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t’u bëjë asnjë të keqe; do t’i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen” (Marku 16:15-18).

Përfundim                                         

Pothuajse tingëllon si mëkat të thuash që besimtarët kanë për të kryer vepra edhe më të mëdha sesa Jezusi. Por pikërisht këtë gjë tha edhe vetë Ai. Do të ketë nga ata që kanë për të kundërshtuar e kanë për të thënë se ky premtim nënkupton kryerjen e veprave të një shkalle më të lartë. Kjo është e vërtetë, por le të mos harrojmë se veprat për të cilat e ka fjalën Jezusi, janë të vlefshme edhe për kishën e sotshme. Apostujt nuk janë të fundit ata, që kryen vepra edhe më të mëdha, sepse Zoti është gati për ta kryer punën e Tij edhe sot, nëpërmjet nesh. “Pastaj ata dolën dhe predikuan kudo, ndërsa Zoti bashkëvepronte me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin” (Marku 28:20). Nëse Krishti nuk është kthyer akoma, atëherë veprat edhe më të mëdha janë të vlefshme edhe për sot.

Mbrapa

Advertisements