Vlera e mendimeve

Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës” (Fjalët e Urta 4:23).

Parathënie

Mendimet tona kanë vlerë të madhe. Ashtu siç e tha edhe Salomoni, “Sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai” (Fjalët eUrta 23:7). Janë mendimet, ëndrrat dhe idetë tona, të cilat ose na inkurajojnë, ose na shkatërrojnë.

Ç’duhet të bëjmë?

Gjatë ditës, na shkon mendja tek shumë gjëra. Mendimet tona mund të kenë lidhje me gjërat e jetës së përditshme, si p.sh. ushqimi, shtëpia, apo rrobat që veshim. Por nganjëherë, ballafaqohemi me dilema të ndryshme, të cilat na bëjnë të mendohemi thellë. Mënyra se si sillemi e si reagojmë është e lidhur drejtpërsëdrejti me mënyrën e të menduarit tonë. Gjithsecili e ka një tru, por jo të gjithë e përdorin trurin e tyre për mirë. Gjithsecili e ka një mendje, por jo të gjithë janë të mençur. Besimtari e ka shpirtin të rilindur, ndaj edhe është në gjendje të mendojë për më shumë sesa thjesht për gjërat e natyrshme të jetës. “Të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni” (Filipianëve 4:8). Ashtu siç e tha edhe Salomoni, mendimet e bëjnë njeriun. Si të krishterë që jemi, nëse duam t’i ruajmë zemrat tona të pastra, atëherë duhet ta lejojmë mendjen, që të mendojë vetëm ato gjëra, që janë të perëndishme, të drejta dhe besim-prurëse.

Si duhet të veprojmë?

Salomoni përdor fjalët “me shumë kujdes”, për të përshkruar kujdesin e madh, që duhet të tregojmë lidhur me mendimet tona. Është për të të ardhur keq, që të paktë janë ata, që janë të kujdesshëm në jetën e tyre të përditshme. Një shprehje e vjetër thotë: “Një makinë e çrregullt është rezultat i një mendjeje të çrregullt”. Kjo na sugjeron se një njeri i çrregullt e ka mendjen të padisiplinuar. Mungesa e rregullit dhe e kujdesit ia bëjnë jetën njeriut të pavlefshme, kurse rregulli dhe kujdesi i sjellin atij bekime. “Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht” (Fjalët e Urta 13:4)… “Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri” (Fjalët e Urta 21:5).

Pse duhet të veprojmë kështu?

Mendja e njeriut nuk i drejtohet dot vetë Zotit. Përkundrazi, mendja e njeriut është e ligë dhe mashtruese. “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9). Njeriu, që nuk e nderon Perëndinë, është i prirur ta “vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë” (Romakëve 12:3). Njerëzve të tillë nuk e kërkojnë Zotin. “I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin; tërë mendimet e tij janë: “Perëndia nuk ekziston” (Psalmi 10:4). Mendimet, pra, na tregojnë se kush jemi. Kur i besojmë Perëndisë, Ai na jep një zemër të re dhe na e pastron mendjen.

Njeriu mëkatar, pavarësisht sesa i edukuar të jetë, nuk ka për të qenë më i vlefshëm sesa mendimet e tij. Jezusi tha: “Njeriu i mirë nga thesari i mirë i zemrës nxjerr gjëra të mira; por njeriu i keq nxjerr gjëra të këqija nga thesari i tij i keq” (Mateu 12:35). Besimtarët, që e mbushin mendjen me gjëra mëkatare, bëhen skllevër të atyre gjërave dhe nuk gjejnë dot gëzim e kënaqësi të vërtetë, kur i shërbejnë Perëndisë, ashtu siç dëshiron Ai. “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë” (Mateu 5:8). “Mendimet” kanë të bëjnë gjithashtu edhe me tundimet e ndryshme, që duan të na zhysin në baltën e mosbesimit. Djalli mund të na tundojë, por biem në kurthin e tij vetëm atëherë, kur iu besojmë gënjeshtrave të tij. “Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakminë e vet” (Jakobi 1:14). Prandaj edhe Zoti Jezus na thotë ta mbushim mendjen me mendimet e Perëndisë. “Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët” (Marku 14:38).

Mendimet e pakontrolluara kanë për të na sjellë një shpërblim të tmerrshëm, po qe se nuk i frenuam. Ilaçi më i mirë është që t’i vëmë mendimet tona nën kontrollin e Krishtit. “Që të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit” (2 Korintasve 10:5) dhe të kemi “në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë” (Kolosianëve 3:2). Duhet ta kuptojmë gjithashtu se mendimet tona të padisiplinuara do të kenë një ndikim negativ tek ata, që na rrethojnë. “Duke u kujdesur fort që askush të mos mbetet pa hirin e Perëndisë dhe se mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur dhe t’ju turbullojë dhe me anë të saj të ndoten shumë njerëz” (Hebrenjve 12:15).  

Përfundim   

Mendimet tona kanë rëndësi të madhe, ndoshta jo për të tjerët, por patjetër për veten tonë. Mendimet tona sjellin si rezultat formimin e karakterit apo të natyrës sonë si njerëz. Mendimet tona ose na ndihmojnë, ose na pengojnë nga ana shpirtërore. “Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:2)… “Dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës” (Efesianëve 4:23-24)… “Prandaj, ngjeshni ijët e mendjes suaj, rrini zgjuar dhe mbani shpresë të plotë në hirin që do vijë mbi ju në zbulesën e Jezu Krishtit. Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj, por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë” (1 Pjetrit 1:13-16). E shohim, pra, se mendimet tona kanë vlerë të madhe. 

Mbrapa

Advertisements