Vrasja e Absalomit

“Mbreti u dha këtë urdhër Joabit, Abishait dhe Itait: “Për hirin tim, silluni me kujdes me të riun Absalom!”. Tërë populli e dëgjoi kur mbreti e dha këtë urdhër të gjithë komandantëve lidhur me Absalomin. Kështu ushtria doli në fushë kundër Izraelit dhe beteja u zhvillua në pyllin e Efraimit. Populli i Izraelit u mund atje nga shërbëtorët e Davidit; dhe në atë vend masakra qe e madhe; atë ditë ranë njëzet mijë njerëz. Beteja u shtri në të gjithë krahinën; dhe pylli gllabëroi më tepër njerëz nga sa kishte gllabëruar shpata. Pastaj Absalomi u ndesh me njerëzit e Davidit. Absalomi i kishte hipur një mushke, e cila u fut poshtë degëve të dendura të një lisi të madh dhe koka e Absalomit mbeti e kapur në lis, dhe ai mbeti i varur midis qiellit dhe tokës; ndërkaq mushka që ndodhej poshtë tij po kalonte tutje. Një njeri e pa këtë gjë dhe lajmëroi Joabin, duke thënë: “E pashë Absalomin të varur në një lis”. Atëherë Joabi iu përgjigj njeriut që e kishte informuar: “Ja, ti e pe? Po pse nuk e shtrive menjëherë të vdekur në tokë? Unë do të të kisha dhënë dhjetë sikla argjendi dhe një brez”. Por ai njeri i tha Joabit: “Edhe sikur të më jepnin në dorë një mijë sikla argjendi, unë nuk do ta shtrija dorën kundër birit të mbretit, sepse ne e kemi dëgjuar urdhrin që mbreti të ka dhënë ty, Abishait dhe Itait, duke thënë: “Kini kujdes të mos i bëni asnjë të keqe të riut Absalom”. Në fakt do të kisha vepruar në mënyrë jo të ndershme kundër vetë jetës sime, sepse asgjë nuk i mbahet e fshehur mbretit; edhe ti vetë do të ishe kundër meje”. Atëherë Joabi tha: “Nuk dua të humb kohën me ty në këtë mënyrë”. Kështu mori në dorë tri shtiza dhe i futi në zemrën e Absalomit, që ishte akoma gjallë në pjesën e dendur të lisit. Pastaj dhjetë shqyrtarë të rinj të Joabit e rrethuan Absalomin, e goditën akoma dhe e mbaruan. Atëherë Joabi urdhëroi që ti binin borisë, populli nuk e ndoqi më Izraelin sepse nuk e lejoi Joabi. Pas kësaj e morën Absalomin, e hodhën në një gropë të madhe në pyll dhe hodhën mbi të një sasi të madhe gurësh; pastaj tërë Izraelitët ikën, secili në çadrën e vet. Absalomi, sa qe gjallë, i kishte ngritur vetes një monumet në Luginën e Mbretit, sepse thoshte: “Unë nuk kam djalë që të ruajë kujtimin e emrit tim”. Kështu i dha emrin e tij këtij monumenti, që edhe sot quhet “monumenti i Absalomit” (2 Samuelit 18:5-18).

Parathënie

Absalomit, me sa duket, i qe ndrruar mendja, ngaqë po e zbatonte këshillën e Ahithofelit dhe po niste luftën kundër të atit. Nuk kishte dhembshuri fare për Davidin, kurse Dadivi, siç do ta shohim edhe në këtë studim, e donte akoma të birin.

Urdhëri

Davidi ishte i bindur se do ta mundte ushtrinë e Absalomit atë ditë, por edhe pse gjakderdhja do të ishte e madhe, ai vetë nuk donte që i biri të vuante. Të gjithë e dëgjuan dhe e kuptuan mirë urdhërin e Davidit, por jo të gjithë ishin dakort me të, ndaj edhe nuk iu bindën. Davidi është për t’u lavdëruar për dashurinë që tregoi ndaj birit të tij rebel. Pa dyshim që ai do ta kishte falur Absalomin, për të gjitha mëkatet që kishte bërë. “Ky urdhër, që iu dha mbreti komandantëve të vet, erdhi si rezultat jo vetëm i dashurisë që ai kishte për fëmijët e vet, por edhe ngaqë e dinte se kjo kryengritje ishte ndëshkimi që ai vetë meritonte për krimet e veta. Absalomi ishte thjesht një instrument në duart e drejtësisë hyjnore dhe Davidi nuk donte që i biri t’i vdiste, pa u penduar për mëkatet” (Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Sulmi

S’kaloi shumë kohë dhe luftëtarët e Davidit e morën situatën nën kontroll. Ushtria e Absalomit u mund, pothuajse sapo filloi beteja. Mund të ketë qenë më e madhe sesa ushtria e Davidit e, megjithatë, trimëria e ushtarëve të Absalomit nuk krahasohej me trimërinë e atyre të Davidit. Absalomi kujtoi se ndoshta të luftuarit në mes të pyllit do t’i sillte atij fitore, por një strategji e tillë e gabuar kishte për t’i sjellë veç disfatë atij dhe ushtrisë së tij. Atë ditë, 20.000 vetë ranë në fushën e betejës. Shumica e tyre u vranë në pyll, ngaqë njerëzit e Davidit e njihnin këtë terren si në pëllëmbë të dorës. Ushtria e Absalomit nuk i dinte humnerat, kënetat, apo pjesët e tjera të rrezikshme të pyllit, ndaj edhe shumë shpejt e gjeti veten në vështirësi.

Davidi i kishte ndarë ushtarët e tij në tre grupe, ndaj edhe e kishte të lehtë të luftonte si në pyll, ashtu edhe në fushën e hapur. Beteja u zhvillua nga të gjitha anët, d.m.th. armiku ishte i padisiplinuar dhe nuk qëndroi në pozicjonet e veta, duke u bërë kështu pre për ushtarët e Davidit. “Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij” (Psalmi 68:1). Mund të na lindë pyetja: “Pse, vallë, i lejoi Davidi ushtarët e tij, që të vrisnin kaq shumë njerëz, bashkëatdhetarë të tyret?” Por duhet ta kuptojmë se ata që e kishin mbështetur Absalomin, kishin vepruar kështu vullnetarisht, ngaqë nuk kishin dashur t’i qëndronin besnik mbretit. Tradhtia gjithmonë duhet ndëshkuar, sepse përndryshe, ka për të depërtuar kudo, tamam si kanceri. Prapëseprapë, është për t’u vënë re se Davidi nuk donte të zbatonte të njëjtin ndëshkim ndaj të birit. Ndoshta ai kujtonte se do të pajtohej me Absalomin, pavarësisht nga ato që ai kishte bërë.

Lisi

Absalomi, që dikur e kishte marrë me forcë e me bujë fronin e Izraelit, do të vdiste i turpëruar, i varur në një lis, me flokët e kapura në degët e tij. “Kështu, pra, mendjemadhësia i solli shkatërrimin” (Gjon Uesli). Absalomin e shohim tek ia mbath me vrap, për t’iu shpëtuar ushtarëve të Davidit, por flokët i zihen në degët e pyllit, ngaqë i kishte shumë të gjata (2 Samuelit 14:25-26). Disa komentatorë thonë se iu zu koka në njërën prej degëve të lisit dhe vdiq ngaqë u paralizua, duke qëndruar i varur. Sidoqë të ketë qenë e vërteta, Absalomi e mallkoi vetë veten, sepse Ligji i Përtërirë 21:23 thotë: “Ai që rri varur është i mallkuar nga Perëndia”. Absalomi kujtoi se e kishte nën kontroll situatën, por kishte harruar se Perëndia shikon gjithçka. “Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij, duke thënë: “Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre”. Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta. Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe” (Psalmi 2:2-5).

Joabi as që kishte ndërmend t’i bindej udhërit të Davidit. Sapo e mori vesh se ç’i kishte ndodhur Absalomit, bëri plan për ta vrarë. Do ta kishte shpërblyer mirë njeriun, që i pruri lajm, por ky njeri ishte i mençur dhe nuk e linte pa zbatuar urdhërin e mbretit, edhe sikur t’i jepnin miljonat. Përkundrazi, ai, me trimërinë më të madhe, i tha komandantit të vet, se do ta vriste, po qe se do të vinte dorë mbi Absalomin. E dinte se Joabit nuk i zihej besë. Joabit i humbi durimi dhe, me nxitim, mori tri shtiza dhe ia nguli Absalomit në zemër, ndërkohë që ai qëndronte i varur në pemë. Pse e bëri Joabi një veprim të tillë mizor? Mos, vallë, po hakmerrej për ato që Absalomi i kishte bërë Davidit? E vërteta qëndronte këtu: Joabi kishte arsye të tjera egoiste, sepse, a nuk kishte qenë Absalomi ai, që i kishte djegur arën e elbit (2 Samuelit 14:30-31)? Dhjetë ushtarë të Joabit e goditën trupin e Absalomit, për t’u siguruar se ai kishte vdekur me të vërtetë. Kjo na vërteton se ata ishin frikacakë dhe tradhtarë.

Pasojat

Kur Joabi e pa se Absalomi tanimë ishte i vdekur, ai dha urdhër që t’i bihej borisë, për të shpallur se betejës i kishte ardhur fundi. Trupi i Absalomit u hodh në një gropë dhe u mbulua me gurë. E vëmë re se askush nuk u kthye si fitimtar në kamp, por të gjithë ia mbathën me të katra dhe u fshehën në çadrat e tyre. E kishin dëgjuar urdhërin e Davidit dhe e kishin parë se ç’lloj respekti kishte treguar Joabi ndaj mbretit. E dinin se tani punët nuk kishin për të shkuar aq mirë, ndaj edhe nuk donin të dukeshin si fajtorë përpara Davidit.

Absalomi i kishte ngritur vetes një monument në luginë, por kur vdiq, mori veç një mal me gurë – një çnderim i përjetshëm. Monumenti ishte ngritur, me qëllim që të tjerët ta kujtonin emrin e tij, ngaqë s’kishte patur një djalë në atë kohë. Kjo do të thotë se tre djemtë që na përmenden tek 2 Samuelit 14:27 do t’i kenë vdekur të vegjël, sepse nuk na përmenden më në Bibël. Por jeta e Absalomit nuk meritonte një monument. Ai ishte treguar i marrë dhe, si përfundim, mori vetëm disfatë dhe çnderim. Ai kishte lindur për të humbur.

Përfundim                      

Joabi, që dikur kishte kujtuar se Absalomi ishte një kandidat i denjë për fronin mbretëror, tani e ndrroi mendjen, kur e pa se sa i papjekur ishte princi. Për më tepër, Joabi as që nuk e mori në konsideratë fare zemërimin e Davidit. Mendjen e kishte për t’u hakmarrë ndaj Absalomit. Ndoshta veprimet e Joabit i sollën fitore Davidit, por le të mos e harrojmë faktin se gjithçka që e bëri, Joabi e bëri nga dëshira egoiste për të përfituar për vete. Davidi kurrë nuk do t’ia falte Joabit atë që kishte bërë. “Edhe ti e di ç’më ka bërë mua Joabi, bir i Tserujahut” (1 Mbretërve 2:5). 

Mbrapa

Advertisements