Vrasja e Amasës

“Kur ata arritën pranë gurit të madh që është në Gabaon, Amasa u doli përpara. Joabi kishte veshur një uniformë ushtarake, mbi të cilën kishte brezin me një shpatë në këllëfin e ngritur me ijet; ndërsa po ecte përpara, shpata i ra. Joabi i tha Amasas: “A je mirë, vëllai im?”. Pastaj Joabi me dorën e djathtë e kapi Amasan nga mjekra për ta puthur. Amasa nuk vuri re shpatën që Joabi kishte në dorën tjetër; me të ai e goditi në bark dhe përbrëndësat e barkut u përhapën për tokë pa e goditur për së dyti, dhe ai vdiq. Pastaj Joabi dhe i vëllai Abishai filluan të ndiqnin Sheban, birin e Bikrit. Ndërkaq njeri prej të rinjve të Joabit kishte mbetur pranë Amasas dhe thoshte: “Kush e do Joabin dhe kush është për Davidin le të shkojnë pas Joabit!”. Por Amasa po përpëlitej në gjak, në mes të rrugës. Kur ai njeri vuri re që tërë populli po ndalej, e tërhoqi zvarrë Amasan jashtë rrugës në një fushë dhe i hodhi sipër një mantel, sepse të gjithë ata që i afroheshin ndaleshin. Kur u hoq nga rruga, të gjithë vazhduan pas Joabit për të ndjekur Sheban, birin e Bikrit” (2 Samuelit 20:8-13).

Parathënie

Amasa nuk qe në gjendje ta grumbullonte në kohën e duhur ushtrinë, për të luftuar kundër kryengritësve. Ky gabim do t’i kushtonte jetën. Joabi, që ishte gjithmonë gati për të përfituar prej situatave të tilla, e gjeti rastin për ta vrarë armikun e tij. Joabi nuk pati as frikë, as turp, që po vriste dikë në një mënyrë të tillë. Kishte vepruar njëlloj edhe më parë ndaj Absalomit (2 Samuelit 18:15-18).

Shpata

Me sa duket, dy grupet e ushtrisë së Davidit u takuan në fillim tek guri i madh i Gabaonit, para se ta ndiqnin Sheban. Joabi e kishte vënë shpatën (ose thikën) e tij mbi ije, të siguruar mirë nën brez dhe të mbuluar me uniformën e tij të gjatë ushtarake. Ndoshta, kur po afrohej për ta përshëndetur Amasën, shpata i ra përtokë dhe Joabi kaq deshi. U gjunjëzua, shfrytëzoi rastin dhe e vrau Amasën. Disa komentatorë të Biblës sugjerojnë se Joabi nuk e kishte shtrënguar mirë shpatën nën brez, por e kishte lënë atë pak të liruar nën ije, me qëllim që të binte me qëllim përtokë, pikërisht në momentin kur të vinte Amasa. Por ky lloj arsyetimi është i gabuar, ngaqë Joabi nuk e dinte se kur do të vinte Amasa. Sidoqë të ketë qenë puna, Joabi ishte mjeshtër i mashtrimit. Amasa kujtoi se Joabi po i binte në gjunjë për ta nderuar, por, në fakt, Joabi po merrte shpatën nga toka. Papritur, Joabi e kapi Amasën nga mjekra, duke mos i dhënë atij kështu asnjë mundësi për ta mbrojtur veten.

Joabi e tregoi veten se sa i ligë ishte, kur e pyeti Amasën gjoja nëse ishte mirë me shëndet, apo jo. Ndoshta thoshte me vete: “Je mirë tani, por prit, prit se do të jesh keq pastaj!” E puthi siç puth tradhtari dhe armiku, një puthje kjo, që u kopjua edhe prej Judë Iskariotit (Luka 22:48). Joabi e quajti Amasën ‘vëlla’, për ta maskuar veprimin e ligë, që ishte gati ta bënte. Amasa nuk e pa shpatën (thikën) nën uniformë, sidomos ngaqë Joabi ishte i gjunjëzuar. Për më tepër, Amasa nuk priste ndonjë të keqe prej Joabit, ngaqë ai ngriti dorën e tij të djathtë për ta përshëndetur. Amasa, pra, mori thikën në bark, në vend që të puthej në faqe si mik. Joabi duhet të ketë përdorur shumë forcë kur ia nguli thikën, sepse Amasës i dolën jashtë të gjitha të përbrendshmet (zorrët) e barkut. Autori Adam Klark thotë se Joabi ia “çau barkun” Amasës. Kjo vrasje ishte e paramenduar. Joabi e dinte mirë se ç’po bënte, ngaqë të njëjtën gjë kishte bërë edhe ndaj Abnerit. “Kur Abneri u kthye në Hebron, Joabi e mori mënjanë në mes të portës, gjoja për t’i folur fshehtazi, dhe këtu e goditi në bark dhe e vrau për të marrë hakun e gjakut të Asahelit, vëllait të tij” (2 Samuelit 3:27). Këtë pasazh mund ta krahasojmë edhe me atë të Gjyqtarëve 3, në të cilin Ehudi vret Eglonin.

Spektakli

E shohim se ç’krim të tmerrshëm kishte kryer Joabi, ngaqë edhe ushtarët me përvojë të madhe lufte, qëndruan gojëhapur në mes të rrugës, duke parë Amasën e përgjakur. Kjo na tregon se Joabi e la Amasën të vdiste si kafshë. Fjala “përpëlitej” na tregon se Amasa nuk kishte vdekur akoma. “Plaga ishte vdekjeprurëse. Amasa vuajti derisa dha shpirt, aty në mes të rrugës, ku u krye edhe krimi” (Gjon Xhill). Joabi ishte gati të shkonte për të ndjekur Sheban, por e pa se njerëzve po iu tërhiqej vëmendja prej Amasës, që po përpëlitej në gjak. Njëri prej ushtarëve të Joabit u detyrua dhe e tërhoqi zvarrë trupin e Amasës në një fushë aty pranë, duke e mbuluar me një mantel, me qëllim që të mos e shihte më njeri. Kështu, ushtarët vazhduan rrugën. Por, vallë, ç’mendim kishin tani ata lidhur me komandantin e tyre, pas kryerjes së një akti kaq të ligë?

Përfundim

Si reagoi Davidi lidhur me këtë punë? Patjetër që duhet ta ketë marrë vesh lajmin e një vrasjeje të tillë të neveritur, por, në vend që ta ndëshkonte Joabin, e shpërbleu atë, duke e bërë komandant të të gjithë ushtrisë (2 Samuelit 20:23). Ndoshta Davidi mendonte se ishte vetë fajtor (i kishte vetë duart me gjak, sepse kishte vrarë Uriahun, burrin e Bathshebës), ndaj nuk ishte në gjendje të gjykonte dikë tjetër. Joabi mori atë që donte, por duke përdorur metodat më të liga. Karrierës së tij i erdhi fundi, kur Salomoni u bë mbret (1 Mbretërve 2:28-34). Edhe Kaini ishte përpjekur për ta fshehur vrasjen e të vëllait, Abelit, por gjaku i Abelit kumbonte nga toka për hakmarrje (Zanafilla 4:10). Ligësisë dhe njerëzve të ligë iu vjen një ditë fundi.

Mbrapa

Advertisements