Vriteni Davidin!

“Sauli i foli birit të tij Jonathan dhe të gjithë shërbëtorëve të tij që të vritej Davidi. Por Jonathani, bir i Saulit, ndiente një dashuri të madhe për Davidin. Kështu Jonathani e informoi Davidin, duke i thënë: “Sauli, ati im, kërkon të shkaktojë vdekjen tënde; prandaj nesër në mëngjes ruhu, rri në një vend të fshehtë dhe fshiu. Unë do të dal dhe do të qëndroj pranë atit tim në fushën ku ndodhesh ti, dhe do t’i flas për ty atit tim. Do të shoh ç’ka për të ndodhur dhe do të njoftoj”. Kështu Jonathani i foli Saulit, atit të tij, në favor të Davidit dhe i tha: “Mbreti të mos bëj mëkat në dëm të shërbëtorit të tij, në dëm të Davidit, sepse ai nuk ka kryer mëkate kundër teje, dhe veprat e tij kanë qenë shumë të vlefshme. Ai ka vënë në rrezik jetën e tij, kur vrau Filisteun, dhe Zoti ka kryer një çlirim të madh për gjithë Izraelin. Ti e ke parë dhe je gëzuar; pse duhet të mëkatosh kundër gjakut të pafajshëm, duke shkaktuar vdekjen e Davidit pa shkak?”. Sauli dëgjoi zërin e Jonathanit dhe u betua: “Siç është e vërtetë që Zoti rron, ai nuk ka për të vdekur!”. Atëherë Jonathani thirri Davidin dhe i njoftoi tërë këto gjëra. Pastaj Jonathani e shpuri përsëri Davidin te Sauli dhe ai qëndroi në shërbim të tij si më parë” (1 Samuelit 19:1-7).

Parathënie

Davidit s’po i shkonin mirë punët, edhe pse ishte martuar me vajzën e Saulit. I duhej t’i bënte sytë katër, për t’u siguruar se s’po e vrisnin pas shpine. Jonathani ishte i vetmi mik i vërtetë që kishte.

Urdhëri

Mbreti Saul dha urdhër, që të vritej Davidi. Duke vepruar kështu, Sauli e tregoi veten se sa i ligë ishte bërë. Tani ai s’i fshihte më qëllimet e veta prej të tjerëve. Që nga ky moment, të gjithë ata, që ishin në pallatin mbretëror, e kishin për detyrë ta vrisnin atë, që ishte shpëtimtari i Izraelit. Por kur Satanai përdor njerëz për ta shkatërruar planin e Perëndisë, edhe Perëndia përgatit dikë, që t’i shkatërrojë veprat e djallit. Kështu p.sh. drejtuesit fetarë kishin dhënë urdhër që të vritej Pali, por Perëndia përdori dikë, që ta ndihmonte apostullin. “Por djali i motrës së Palit, si e mori vesh kurthin, rendi në fortesë dhe, mbasi hyri, i tregoi Palit” (Veprat e Apostujve 23:16).

Jonathani e inkurajoi Davidin, duke i thënë që të shkonte e të fshihej, derisa ai ta zgjidhte problemin. Jonathani po e vinte veten në rrezik për Davidin. Sauli ishte i çekuilibruar nga ana mendore, paranojak dhe dyshues ndaj të gjithëve. Jonathani mund të vritej, ngaqë nuk po i bindej urdhërit të të atit. Bibla na thotë se Sauli ishte gati ta vriste të birin për një krim akoma më të vogël. “Sepse, ashtu siç është e vërtetë që Zoti, shpëtimtari i Izraelit, jeton edhe sikur të gjendej te Jonathani, biri im, ai duhet të vdesë… Sauli tha: “Perëndia e bëftë këtë dhe bile më keq, sepse ti ke për të vdekur me siguri, o Jonathan!”. Po populli i tha Saulit: “A duhet të vdesë Jonathani që ka sjellë këtë çlirim të madh në Izrael? Mos ndodhtë kurrë! Ashtu siç është e vërtetë që Zoti jeton, nuk ka për të rënë në tokë as edhe një fije floku nga koka e tij, sepse sot ai ka vepruar bashkë me Perëndinë”! Kështu populli e shpëtoi Jonathanin dhe ai nuk vdiq” (1 Samuelit 14:39, 44-45). Jonathani gjithashtu po i dilte përkrah njeriut, të cilin Sauli kujtonte se ishte rivali i vet.

Betimi

Jonathani iu afrua të atit me shumë kujdes. Ai i zgjodhi mirë fjalët, që do t’i thoshte. E dinte se mbreti e urrente Davidin, por, me maturi, ai i solli ndër mend Saulit gjithçka që kishte arritur Davidi. Jonathani e përshkroi Davidin si një njeri besnik, trim e të pafajshëm. Për momentin, Sauli u bind se i biri kishte të drejtë dhe e ktheu mbrapsht urdhërin e tij, lidhur me vrasjen e Davidit. Mbreti u betua për emër të Zotit se nuk do të përpiqej ta vriste më kurrë Davidin. “Kur dikush lidh një kusht me Zotin ose lidh një detyrim duke u betuar, nuk do ta shkelë fjalën e tij, por do të bëjë gjithçka ka dalë nga goja e tij” (Numrave 30:2). Por Sauli po e përdorte kot emrin e Zotit. “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij” (Eksodi 20:7)… “Nuk do të bëni betim të rremë në emrin tim, nuk do të përdhosni emrin e Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti” (Levitikut 19:12).

Është gjë e rrezikshme ta përdorim emrin e Perëndisë, kur bëjmë premtime, apo kur betohemi. Si besimtarë që jemi, e dimë se nuk duhet të bëjmë be, sepse ka shumë të ngjarë, që të mos i mbajmë betimet apo premtimet, që bëjmë. “Por unë po ju them: “Mos u betoni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë, as për tokën, sepse është stol i këmbëve të tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh. Mos u beto as për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku; Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu” (Mateu 5:34-37)… “Dhe, para së gjithash, vëllezër të mi, mos bëni be as për qiellin as për dheun, as mos bëni ndonjë be tjetër; por le të jetë “po” -ja juaj “po” dhe “jo” -ja “jo”, që të mos bini nën dënim” (Jakobi 5:12).        

Përfundim

Davidi mund të vinte përsëri në pallatin mbretëror, por edhe për sa kohë, vallë? S’ka dyshim se tani ai ishte edhe më shumë vigjilent ndaj Saulit dhe temperamentit të tij. Gjon G. Butler ka thënë: “Mos u kënaq shumë, kur të ngre në pozitë bota. Në të njëjtën kohë, as mos u dekurajo, kur nuk të ngrenë në pozitë. Në më të shumtat e rasteve, lavdet e botës më shumë sjellin probleme, sesa bekime”.

Mbrapa

Advertisements