Vuajtja dhe Gëzimi

“Dhe ju u bëtë imituesit tanë dhe të Zotit, duke e pranuar fjalën në mes të një pikëllimi të madh, me gëzimin e Frymës së Shenjtë” (1 Thesalonikasve 1:6).

Parathënie

Të krishterët thesalonikas kishin besim të vërtetë në Zotin Jezus Krisht. Çdo ditë, ata ishin të angazhuar në aktivitete të ndryshme për kauzën e ungjillit. Por, a vërtetonte kjo se jeta e tyre kishte ndryshuar plotësisht? Në mes të pikëllimit e të vuajtjes, këta besimtarë kishin gëzim në Zotin.

Të sakrifikuarit e jetës

Ata ishin gati ta jepnin jetën për Krishtin. Nuk prisnin që jeta e krishterë të ishte “fushë me lule”. Pse? Ngaqë Pali nuk iu kishte predikuar një mesazh të tillë. Po t’iu kishte predikuar një mesazh të tillë pozitiv, duke iu premtuar shëndet e pasuri, atëherë ata do të kishin hequr dorë me kohë nga të besuarit në Krishtin. Po qe se Pali do t’iu kishte predikuar thesalonikasve një mesazh të tillë, atëherë jeta e tyre e krishterë do të bazohej mbi një themel tjetër, të ndryshëm nga ai i përshkruar në Bibël. Krishtërimi nuk ka të bëjë me lumturinë njerëzore. Përkundrazi, krishtërimi shprehet në “gëzimin e Frymës së Shenjtë”.

Njerëzit, në përgjithësi, kërkojnë të gjejnë kënaqësi në këtë jetë. Ky brez është brezi i “Un”-it. “Unë” dua kënaqësi, sepse “unë” jam numër 1. Shoqëria jonë i shkel të tjerët me këmbë, me qëllim që “Un”-i të dalë i pari. Suksesi nuk matet më nga përpjekjet, apo vuajtjet që ke kaluar, por nga mënyra se si ke përfituar prej të tjerëve.

Të ballafaquarit me faktet

Mesazhi i fjalës së Perëndisë është plotësisht i kundërt me atë, që predikohet sot prej drejtuesve të pozitivizmit të sotshëm. Ungjilli fillon me faktin se jeta ka për të qenë e vështirë dhe e ashpër. Që nga koha kur Adami mëkatoi në Kopshtin e Edenit, jeta tokësore nuk ka qenë aspak e lehtë: “Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: “Mos ha prej saj,” toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj me mund tërë ditët e jetës sate. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave; do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh” (Zanafilla 3:17-19).

Njeriu vazhdon akoma t’i kundërvihet Perëndisë. Përpiqet të gjejë kënaqësi në jetë me forcat e veta. Njëra nga arsyet pse mallkimi është akoma i pranishëm në tokë, qëndron në faktin se njeriu nuk do që t’i bindet Perëndisë, prandaj edhe duhet të vuajë pasojat e këtij rebelimi. Pa dyshim, gjithmonë do të ketë nga ata, që thonë se, qëkurse besuan tek Jezusi, u bënë të pasur e të famshëm, apo se, qëkurse besuan tek Jezusi, nuk kanë njohur asnjë moment hidhërimi. Por kjo dëshmi e tyre nuk përputhet me fjalën e Perëndisë.

Vetë-mohimi

Industritë fetare mund ta shesin Jezusin si mjet për të fituar mirëqënie emocionale, apo sukses financiar. Por një veprim i tillë nuk gjendet fare në Bibël. Përkundrazi, Perëndia flet rreth mohimit të vetvetes, jo kënaqjes së vetes: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë. E pra, ç’dobi ka njeriu po të fitojë tërë botën, dhe pastaj të shkatërrojë veten dhe të shkojë në humbje?” (Luka 9:23-25). Jezusi i tha këto fjalë menjëherë pasi tha: “Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra” (Luka 9:22). Më pas, Ai shtoi: “Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. Jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja”… “Kërkoni më parë mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë. Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë. Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren. Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj” (Luka 12:22-23, 31-34). Prandaj, edhe apostulli Pjetër shkruan kështu: “Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij” (1 Pjetrit 2:21). Pa dyshim, një përvojë të tillë përjetoi edhe kisha e shekullit të parë: “Kështu ata u larguan nga sinedri, duke u gëzuar sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit” (Veprat e Apostujve 5:41)… “Mburremi edhe në shtrëngimet” (Romakëve 5:3).

Gëzimi, pavarësisht nga rrethanat

Pikërisht atëherë, kur e lejojmë mëkatin dhe botën, që të na qeverisë, atëherë do ta humbasim gëzimin, që na jep Fryma e Shenjtë. Kushton shtrenjtë t’i bindesh Perëndisë. Një bindje e tillë shpesh rezulton në vuajtje. Pali ishte mësuar me vuajtje, e prapëseprapë, arrinte të kishte gëzim: “Janë ata Hebrenj? Jam edhe unë! Janë ata Izraelitë? Jam edhe unë! janë ata pasardhës të Abrahamit? Jam edhe unë. Janë ata shërbëtorë të Krishtit? Po flas si i pamend, unë jam edhe më tepër si këta; në mundime më tepër, në goditje më tepër, në burgje më tepër dhe shpesh në rrezik për vdekje. Nga Judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhike pa një. Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m’u mbyt anija në det, kalova një ditë e një natë në humnerë. Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkëtdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë, në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur. Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesja për të gjitha kishat. Kush është i dobët, që të mos jem edhe unë? Kush është skandalizuar dhe unë të mos përvëlohem? Në qoftë se duhet të mburrem, unë do të mburrem me ato që kanë të bëjnë me dobësinë time” (2 Korintasve 11:22-30). 

Përfundim

Edhe në mes të problemeve më të vështira në jetë, do ta shohim se “gëzimi i Zotit është fuqia [jonë]” (Nehemia 8:10). Një jetë pa vuajtje është fantazi dhe nuk ia vlen të jetohet. Vuajtjet nuk kanë pse të na e shkatërrojnë besimin tek Perëndia. Përkundrazi, ato na afrojnë më pranë tij me besim: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!” (Gjoni 16:33)… “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë” (Gjoni 15:11).

Mbrapa

Advertisements