Xhelozia dhe shtiza

“Kjo gjë e pezmatoi shumë Saulin dhe këto fjalë nuk i pëlqyen; ai tha: “Davidit i njohin dhjetë mijë dhe mua vetëm një mijë. Tani nuk i mungon veçse mbretëria!”. Kështu nga ajo ditë Sauli e shikoi me zili Davidin. Të nesërmen një frym i keq nga ana e Perëndisë e zotëroi Saulin që sillej si një i marrë në mes të shtëpisë, kurse Davidi i binte harpës me dorën e tij si ditët e tjera dhe Sauli mbante në dorë shtizën. Kështu Sauli e vërtiti shtizën, duke thënë: “Do ta gozhdoj Davidin në mur!”. Por Davidi iu shmang goditjes dy herë.” (1 Samuelit 18:8-11).

Parathënie

Mbretit Saul nuk i pëlqeu fare kënga, që kënduan gratë. Duke qenë një njeri mosbesues, ai menjëherë kujtoi se Davidi po thurte plane për t’ia grabitur mbretërinë. Sauli e kishte harruar fare se Davidi kishte ardhur në kamp atë ditë si i pafajshëm, thjesht si një djalë bari.

Zemërimi i Saulit

Sauli e kishte shpirtin të mbushur me smirë e xhelozi. Nuk po thurte më plane të mëdha për heroin e Izraelit, por, përkundrazi, kishte filluar të planifikonte vdekjen e tij. Kënga e fitores, që po këndohej në të gjithë Jeruzalemin, e zemëroi shumë Saulin. Pse nuk po këndonin fare për të? A nuk ishte edhe ai udhëheqës i mirë? Ishte njëlloj sikur t’ia këndonin himnin kombëtar qenit të mbretëreshës Elizabetë të Anglisë, në vend që t’ia këndonin asaj! Sauli po nxirrte shkumë nga goja prej inatit – aq i zemëruar ishte me Davidin. Aleksandër Meklarën shkruan kështu: “Nuk janë vetëm njerëzit me pozitë, apo njerëzit e famshëm, që kanë smirë dhe xhelozi ndaj atyre, që janë më të mirë se ta. Smira dhe xhelozia i kanë rrënjët e tyre brenda secilit prej nesh”. Njerëzve xhelozë nuk iu vjen mirë, kur nderohen të tjerët. “Të tilla fryte japin smira dhe xhelozia” (Gjon Uesli).

Veprimi i Saulit

Nga teksti i studimit tonë, kuptojmë diçka edhe më shumë rreth “frymës së keqe” të Saulit. Zemërimi i Saulit rritej nga dita në ditë, tek e shikonte Davidin me zili. Sauli mundohej të gjente pretekstin më të vogël, që t’i tregonte se Davidi ishte gati të udhëhiqte një grusht shteti kundër mbretit. E dimë se Sauli e vlerësonte shumë Davidin. Por puna qëndronte këtu se Sauli kishte gjithashtu edhe një “urrejtje dashakeqe” në zemrën e tij për djalin bari (marrë nga komentimi, që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun). “Davidi arriti te Sauli dhe hyri në shërbim të tij; Saulit i hyri në zemër dhe e bëri shqyrtar të tij” (1 Samuelit 16:21)… “Sauli mbeti armiku i [Davidit] gjatë gjithë ditëve që jetoi” (1 Samuelit 18:29). Sipas mendjes së Saulit, ç’plan të lig po thurte Davidi, tek i binte harpës për të?

Nëse “fryma e keqe” ishte me të vërtetë një demon e jo një sëmundje mendore, atëherë na duhet të nxjerrim si konkluzion se ishte Perëndia Ai, që i kishte dhënë urdhër kësaj fryme të keqe, që ta shtynte Saulin për ta vrarë Davidin, e jo një herë, por dy herë me rradhë. Ky lloj arsyetimi është, pra, i gabuar. Sauli po sillej si i marrë, duke bërtitur e duke ulëritur, ndërsa Davidi filloi t’i binte harpës. Të njëjtën gjë e shohim të ndodhë edhe me profetët e Baalit tek 1 Mbretërve 18:29. Autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun sugjerojnë se mbreti “ishte bërë si i harbuar, i dhunshëm dhe i marrë”. Të mos e harrojmë faktin se ishte pikërisht për shkak të së njëjtës frymë xhelozie e smire, që edhe Krishti u kryqëzua në kryq dhe e shpuan me shtizë në brinjë: “Kur u mblodhën njerëzit, Pilati i pyeti ata: “Kë doni t’ju liroj, Barabën apo Jezusin, që quhet Krisht?”. Sepse ai e dinte mirë se atë ia kishin dorëzuar nga smira” (Mateu 27:17-18)… “Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira” (Marku 15:10).

Vigjilenca e Davidit

Davidin e kishin thirrur përpara Saulit, që t’ia qetësonte mendjen, duke i rënë harpës. Ka të ngjarë, që ta kishin paralajmëruar lidhur me gjendjen e Saulit, sesa i dhunshëm dhe i marrë mund të bëhej ai. Ndaj edhe Davidi tregohej gjithmonë vigjilent. Si bari që ishte, i kishte veshët e stërvitura mirë, gati për ta dëgjuar edhe zhurmën më të vogël të një kafshe të egër. Prandaj e dëgjoi edhe Saulin, tek po bëhej gati për ta goditur me shtizë. Kështu, pra, Sauli i dha fund në mënyrë kaq dramatike terapisë së tij muzikore.

Përfundim

Davidi nuk kishte bërë asgjë, që ta meritonte dyshimin dhe inatin e Saulin. Por tani mbreti po mundohej të bënte atë, që s’arriti ta bënte dot Goliathi. Kjo na tregon se sa të errësuar e se sa të ligë e kishte zemrën Sauli. Perëndia ishte me Davidin, ndaj edhe një ditë, do të ishte Sauli ai, që do të gozhdohej përtokë, e jo Davidi.

Nëse nuk na përfillin e nuk na respektojnë fare të tjerët, le të mos dëshpërohemi, por të vazhdojmë t’i përkushtohemi Perëndisë e t’ia lëmë gjithçka Atij në dorë. “Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar” (Psalmi 37:5)… “Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen” (Fjalët e Urta 16:3). Smira e shkatërron zemrën, që e strehon. “Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave” Fjalët e Urta 14:30).    

Mbrapa

Advertisements