Zaini – Fjala ngushëlluese

Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa. Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë. Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt. Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon. Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd. Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim. O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd. Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.” (Psalmi 119:49-56).

Parathënie  

Ashtu siç mund ta ndriçojë një llampë e vogël një dhomë të errët, ashtu edhe shpresa dhe besimi që kemi tek Zoti që e di të ardhmen, na i ndriçon ditët e jetës. Mund të shqetësohemi kur shohim të ligat që bëhen në këtë botë, apo mund të vuajmë për shkak të ndonjë sëmundjeje, por sidoqë të jetë puna, kemi shpresë dhe siguri tek “Perëndia i çdo ngushëllimi” (2 Korintasve 1:3). Nëse jemi të ankoruar tek fjala e Tij e palëkundshme, atëherë kemi për ta kuptuar mirë arsyen se përse duhet të kemi besim në çdo vështirësi.

Mbaje mend fjalën e Perëndisë

Autori i psalmit i lutet Zotit që të mos ia harrojë premtimet që i ka bërë, premtime këto, të cilat ai i ka ruajtur në zemër. Ndoshta këto premtime ishin për autorin e psalmit një ngushëllim në këtë botë mëkatare. “Me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë” (2 Pjetrit 1:4). Edhe pse ai i thotë Zotit që ta mbajë fjalën, vëmë re se vetë autori i psalmit po deklaron këtu se ai ka besim tek premtimet e Zotit, sepse është vetë Zoti Ai, që i ka dhënë shpresë, prandaj edhe e di se Zoti nuk harron.

Vini re përdorimin e fjalës “shërbëtor” tek vargu 49-ë. Autori i psalmit i kishte varur shpresat tek Perëndia, që është Mbreti i qiellit dhe tokës, fjalët e së Cilit janë të vërteta dhe besnike. “Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova” (Isaia 55:11). Është pikërisht kjo fjalë, që na jep jetë dhe na forcon në momente vuajtjesh dhe vështirësish. Tërë Bibla na është dhënë, me qëllim që, sa herë të ndodhemi në vështirësi, le ta ngushëllojmë veten me faktin se fjala e Perëndisë është e vërtetë dhe se, në fund fare, ne do të dalim fitimtarë. “Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij” (2 Timoteut 4:8). Le të na tallë sa të dojë bota, por ne le ta ruajmë besimin tek themeli i patundur i Biblës. “Zoti di t ‘i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit dhe t’ i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjyqit” (2 Pejtrit 2:9). Njerëzit e ashtu-quajtur “të arsimuar e me shkollë” përpiqen ta bindin popullin, duke thënë se teoria e evolucionit është një fakt i vërtetuar, se nuk egziston asnjë perëndi, që ka krijuar gjithçka, etj. Por budallenj të tillë mendjemëdhenj kanë për ta parë një ditë sesa gabim e kanë patur (shiko Psalmi 14:1). Neve mund të na quajnë “budallenj” tani, por përsa kohë që i qëndrojmë besnikë të vërtetës, do ta shohim se ka për të ardhur dita kur kanë për t’u shfaqur hapur “budallenjtë” e vërtetë. “Sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se njerëzit dhe dobësia e Perëndisë më e fortë se njerëzit” (1 Korintasve 1:25). Nuk është keq t’ia kujtojmë vetes vazhdimisht këtë fakt!

Mbaji mend dekretet e Perëndisë

Tek vargjet 52-54, autori i psalmit sjell ndërmend historinë e popullit të Izraelit dhe mënyrën se si Perëndia e udhëhoqi atë gjatë gjithë atyre viteve, duke e çliruar nmrekullisht prej skllavërisë. Fjala “dekrete” ka të bëjë, pra, me mënyrën se si Perëndia sillet me popullin e Tij. Vini re gjithashtu përdorimin e fjalës “ligjin tënd”. Autori i psalmit ka besim dhe shpresë se i njëjti Perëndi, që u kujdes për Izraelin, ka për t’ia zgjidhur edhe atij tani çdo problem. “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t ‘ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni” (1 Korintasve 10:13).

E kemi gabim, pra, kur dëshpërohemi. Pa shikoni këtë njeri (autorin e psalmit), i cili, gjatë gjithë “shtegtimit” të tij nëpër errësirë, i ktheu premtimet e Perëndisë në këngë adhurimi. Duhet t’i zëmë besë Zotit, “që natën të jep këngë gëzimi” (Jobit 35:10). Ai vazhdimisht na sjell ndërmend mrekullitë që ka bërë për ne. “Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri” (Psalmi 103:2-4).

Kujto emrin e Perëndisë

Autori i psalmit e di mirë se kujt i është shërbëtor. Emri i Perëndisë nënkupton shenjtërinë e Tij, ndaj edhe autori i psalmit nuk e keqpërdor atë emër, ashtu siç veprojnë shumica e njerëzve sot. Tek “emri” i Perëndisë përfshihen cilësitë e Tij, karakteri dhe fuqia e Tij, sepse emri i Tij është më i madhi nga të gjithë.  Duke e ditur këtë fakt, nuk kemi, pra, pse ta humbim besimin dhe shpresën në momente vështirësish, po qe se i besojmë vërtet emrit të Jezus Krishtit!

Kur e dimë se emri i Jezusit është i fuqishëm, forcohemi edhe vetë dhe bëhemi edhe më vigjilentë, ashtu si autori i psalmit. Besimi i tij ishte i fortë, pavarësisht se po ballafaqohej me një “natë” të errët. Ai i zbatonte dhe i respektonte urdhërimet e Zotit. Kështu edhe ne, kur të kemi netë pa gjumë, le ta kalojmë natën, duke medituar tek fjala e Perëndisë. Autori i psalmit na thotë se “kjo ndodh”, ngaqë ai kishte besim të patundur tek Perëndia dhe tek fjala e Tij. Ai ishte fitimtar, edhe pse ballafaqohej me beteja të ashpra. “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar:“Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje ”. Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi. Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:35-39). Ja, pra, një premtim që secili prej nesh duhet ta ruajë thellë në zemër!

Përfundim

Autori i psalmit i ktheu problemet e tij në adhurim, vështirësitë në premtime dhe vuajtjet në besim. Sa herë që ballafaqohej me vështirësi të ndryshme, ai thjesht sillte ndërmend dhe kujtonte ato që i kishte thënë Perëndia. Edhe ne duhet të veprojmë kështu, por në fillim, duhet ta ngulitim fjalën e Zotit në zemër, pastaj ta sjellim atë ndërmend sa herë që ndodhemi në vështirësi. Ç’është shpresa? Është besimi që thotë se Perëndia është në gjendje të bëjë për ne të njëjtat mrekulli që Ai ka bërë edhe në të kaluarën.

Mbrapa

Advertisements