Zemërbutësia e Palit

“Përkundrazi qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj. Kështu, duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush, ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur. Sepse ju, o vëllezër, e mbani mend lodhjen dhe mundimin tonë: si kemi punuar ditë e natë që të mos i bëhemi barrë asnjërit prej jush, dhe predikuam ungjillin e Perëndisë ndër ju” (1 Thesalonikasve 2:7-9).

Parathënie

Ka shumë të krishterë, që e konsiderojnë apostullin Pal si një njeri të ashpër e strikt, por e vërteta qëndron ndryshe. Pali iua përshtati natyrën e vet njerëzve, me të cilët kishte vazhdimisht lidhje: ai ishte i ashpër me ata, që kërkonin ta shkatërronin fjalën e Perëndisë, kurse me ata që e donin Zotin, ai ishte një mësues i dashur dhe zemërbutë. Zemërbutësia gjithmonë del fitimtare mbi ashpërsinë: “Me durimin i mbushet mendja një princi dhe gjuha e ëmbël thyen kockat” (Fjalët e Urta 25:15). Ata që nuk besojnë, e shohin Perëndinë si një tiran, që sundon nga qielli, por ata që e njohin Krishtin si Shpëtimtar, e dinë se Ai mbretëron me dashuri, edhe pse është një Perëndi i drejtësisë: “Ja, Perëndia, Zoti, vjen i fuqishëm dhe krahu i tij sundon për të. Ja, e ka shpërblimin me vete, dhe shpërblimi i tij e pararend. Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gji të tij, dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjëlit e tyre” (Isaia 40:10-11). Shoqëria jonë nuk e vlerëson zemërbutësinë, por vlerëson të qënit agresiv dhe të kërkuarit e të drejtave personale. Të krishterët nuk duhet të kenë një vlerësim të tillë si shoqëria e sotme.

Njeriu zemërbutë

Kishat, zakonisht, e harrojnë se edhe predikuesi, pastori, apo ungjillizuesi ka ndjenja. N.q.s. Pali do të kishte qenë një mësues zemërgur e i pashpirt, atëherë këtë gjë do ta vinim re në vargjet e këtij studimi. Përkundrazi, këto vargje e paraqesin Palin si një njeri të afrueshëm, të dashur dhe zemërbutë. Pali i trajtoi njerëzit me zemërbutësi. U kujdes për ta, ashtu siç kujdeset nëna për fëmijët e vet. Madje, edhe kur iu desh të merrej me ata, që ishin zënë në kurthin e mësimeve të rreme, ai shfaqi një shpirt zemërbutë: “Duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën, dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij” (2 Timoteut 2:25-26). Qëllimi i të qënit zemërbutë është që njerëzit të vijnë tek e vërteta. Një sjellje e ashpër dhe agresive i largon njerëzit prej Zotit: “Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin” (Fjalët e Urta 15:1). Pali nuk ishte hipokrit; ai e vinte në praktikë atë, që predikonte: “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj” (Galatasve 5:22-23). Detyra e Frymës së Shenjtë është që t’i bëjë zemërbutë ata, që e ndjekin Krishtin. Mateo Henri ka thënë: “Butësia dhe mirësia e bëjnë fenë shumë të rekomandueshme. Ato i përngjajnë mënyrës, me të cilën vetë Perëndia i trajton mëkatarët në Bibël. Kështu fitohen njerëzit për Zotin”. Një zemërbutësi e tillë do të thotë se Pali nuk u soll sikur të ishte një njeri superior e shumë i rëndësishëm, përkundrazi, ai ishte gati të shpenzonte e të shpenzohej për hir të ungjillit: “Sa për veten time, unë do të shpenzoj me gëzim dhe do të shpenzohem për shpirtrat tuaja, megjithse ju dua më fort dhe më doni më pak” (2 Korintasve 12:15).

Nëna që kujdeset

Fjala “mëndeshë” (në greqisht “trophos”) do të thotë “ajo që rrit”. Kjo fjalë nënkupton nënën, që kujdeset për fëmijët e saj dhe i ushqen ata. Në komentimin që i bën këtij vargu, Gjon Ueslli shkruan kështu: “Qemë zemërbutë – të ëmbël e të mirë, midis jush – si klloçka, që i rrethon zogjtë e saj. Ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj – ata që kanë dalë nga barku i saj”. Pali dhe grupi i tij ungjillor e kuptuan mirë se mesazhi i ungjillit duhet t’iu përshtatet nevojave të atyre që e dëgjojnë, por pa e kompromentuar çiltërsinë e fjalës së Perëndisë: “Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm” (2 Timoteut 2:24). Ndoshta, edhe ne mund të mësojmë diçka prej asaj që shkroi Pali: “Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!” (Galatasve 4:19).

Dashuria

Dy shprehjet: “duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush” dhe “na u bëtë të dashur” na shfaqin dashurinë dhe kujdesin që tregoi Pali për besimtarët thesalonikas. Fjala “dashuri” (në greqisht “homeiromenoi”) përdorej në rastin e një nëne, që ishte gati të jepte jetën e saj për të mbrojtur të vegjëlit e vet: “Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit” (1 Gjonit 3:16). Ka të ngjarë që, kur Pali tha, “edhe vetë jetën tonë”, ai e kishte fjalën për një dashuri shumë të thellë: “Sepse do të doja të isha vetë i mallkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit” (Romakëve 9:3). Pali, jo vetëm që iu dha të tjerëve mesazhin e ungjillit, por ai iu dha atyre edhe vetë jetën e vet. Ai iu shërbeu besimtarëve të tjerë me orë të tëra, derisa u lodh e u rraskapit. Ashtu si një prind i dashur, ai pranonte më mirë t’i hidhte poshtë të drejtat e veta, sesa t’i bëhej barrë kishës. Rrallë gjen besimtarë të tillë, që e vënë në praktikë atë, që besojnë. Ajo që mungon në kishat e sotme është pikërisht kjo: gatishmëria për t’ia kushtuar gjithçka punës së Perëndisë: “Me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri, duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes” (Efesianëve 4:2-3).    

Përfundim                      

Kishës i bëhemi barrë, po nuk e patëm këtë lloj dashurie, zemërbutësie e përkushtimi. Pali është shembull i të krishterit të vërtetë, sidomos i atij që është përgjegjës në drejtimin e të tjerëve drejt pjekurisë në Krishtin. Pali me të vërtetë që kishte natyrën e Krishtit: “Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin” (Filipianëve 2:5)… “Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet” (Gjoni 10:11). Ndoshta, kemi nevojë që zemërbutësia e Palit të jetë edhe zemërbutësia jonë: “Të mos flasin keq për asnjeri, të jenë paqësorë dhe të butë, duke treguar mirësjellje të madhe kundrejt të gjithë njerëzve” (Titit 3:2)… “Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite” (Jakobit 3:17). Zemërbutësia nuk është dobësi, apo mungesë guximi. Zemërbutësia ka të bëjë me kujdesjen për të tjerët, sidomos për ata që janë të dobët e që kanë nevojë për mbrojtje. Të jesh zemërbutë do të thotë të mos e kesh mendjen gjithmonë tek dëshirat e tua, por të bësh për dikë tjetër atë, që kërkon Perëndia prej teje.

Mbrapa

Advertisements