Zemërgjerësia sakrifikuese

“Po ju bëtë mirë që morët pjesë në pikëllimin tim. Edhe ju, o Filipianë, e dini se, në fillim të predikimit të ungjillit, kur u nisa nga Maqedonia, asnjë kishë nuk ndau me mua gjë për të dhënë a për të marrë, veç jush, sepse edhe në Thesaloniki më dërguat jo vetëm një herë por dy, përkujdesje kur isha në nevojë. Jo se unë po kërkoj dhurata, por kërkoj fryt që tepron për dobinë tuaj. Tani i kam të gjitha dhe më teprojnë; jam përplot, mbasi mora nga Epafroditi atë që më ishte dërguar nga ju, një parfum erëmirë, një fli i pranueshëm, i pëlqyeshëm nga Perëndia” (Filipianëve 4:14-18).

Parathënie   

Në këtë studim do t’i hedhim një sy edhe një herë temës së ndihmës financjare për ata që bëjnë punën e Zotit, apo për ata që vuajnë për kauzën e Tij. Apostulli Pal na shpreh këtu gëzimin që ndjente për faktin se kisha e filipianëve e kishte mbështetur besnikërisht në punën e tij. Një mbështetje e tillë iu kishte kushtuar shumë anëtarëve të saj, ngaqë nuk ishin aq të pasur, por zemrën e kishin të madhe. Zoti i kishte dhënë Palit fuqinë për të vazhduar për t’i shërbyer Atij, por Pali nuk mund ta kryente dot një shërbesë të tillë pa u mbështetur besnikërisht prej besimtarëve të tjerë.

Bujaria

Kisha e filipianëve ishte e përkushtuar ndaj atyre, që ishin të angazhuar në përhapjen e ungjillit në mbarë botën. Të pakta ishin ato kisha, që jepnin vazhdimisht oferta dhe kisha e filipianëve jepte më shumë nga të gjitha. E dimë se ata i kishin dërguar dhurata Palit gjatë udhëtimit të tij misjonar në Selanik (shiko Veprat e Apostujve 17). Dhurata të tilla, jo vetëm që ia plotësuan apostullit çdo nevojë që kishte, por gjithashtu e inkurajuan atë dhe i dhanë zemër, duke e ditur se, edhe pse po vuante, besimtarët e tjerë nuk e kishin harruar. Kjo kishë, pra, pati një ndikim të fuqishëm si në punën misjonare të Palit, ashtu edhe në jetën shpirtërore të shumë njerëzve. Le të mos e nënvlerësojmë rëndësinë e një kishe, që është e përkushtuar ndaj misjonarëve.

Sakrifica

Shprehja “morët pjesë” (në greqisht “koinoneo”) ka kuptimin “të ndash atë që ke me të tjerët”. Anëtarët e kishës së parë ishin gati të ndanin gjithçka me njëri-tjetrin. “Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët. Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit” (Veprat e Apostujve 2:44-45).

Pali nuk i kishte detyruar filipianët që t’i jepnin dhurata. Nuk i kishte shtyrë fare. Nuk iu kishte çuar copa guri prej qelisë së burgut si e si që t’i dërgonin 100 denarë! “Unë nuk kam dashur as argjend, as ar, as rrobat e ndonjërit” (Veprat e Apostujve 20:33). Filipianët jepnin, ngaqë ishin të frymëzuar prej Frymës së Shenjtë. Donin ta përkrahnin Palin. “Prandaj m’u duk e nevojshme t’i këshilloj vëllezërit të vijnë te ju më përpara, që të bëjnë gati më parë ofertën që kishit premtuar më parë, kështu që ajo të jetë gati si dhuratë bujarie dhe jo kopracie. Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur. Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar” (2 Korintasve 9:5-7).

Fryma

Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t’ju tepërojë për çfarëdo pune të mirë, sikurse është shkruar: “Ai ndau, u ka dhënë të varfërve, drejtësia e tij mbetet në përjetësi”. Edhe ai që i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë, ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj, dhe i bëftë të rriten frytet e drejtësisë suaj; dhe atëherë do të pasuroheni për të qenë dorëdhënë, duke i sjellë nëpërmjet nesh falënderim Perëndisë. Sepse kryerja e kësaj shërbese të shenjtë jo vetëm përmbush nevojat e shenjtorëve, por sjell edhe një mbushulli falëndërimesh ndaj Perëndisë, sepse për shkak të përvojës nga kjo shërbesë, ata e përlëvdojnë Perëndinë për bindjen ndaj ungjillit të Krishtit që ju rrëfeni dhe për bujarinë me të cilën merrni pjesë me ta dhe me të gjithë. Dhe me lutjet e tyre për ju ju shfaqin një dashuri të veçantë për hirin e shkëlqyer të Perëndisë përmbi ju. Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të patregueshme” (2 Korintasve 9:8-15).

Siç e shohim edhe prej tekstit të mësipërm, Perëndia i bekon ata që iu japin të tjerëve me gjithë zemër. Kur iu japim atyre që kanë nevojë, jo vetëm që i bekojmë, por bekohemi edhe vetë. “Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: “Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!” (Veprat e Apostujve 20:35). Shënim: Nuk e kemi të shkruar gjëkundi se Jezusi e ka thënë apo jo vërtet këtë shprehje, por ndoshta Pali po citonte një shprehje të Jezusit, e cila nuk arriti të përfshihej në Bibël. Jo gjithçka që ka thënë apo që ka bërë Jezusi, është e regjistruar në Bibël (shiko Gjoni 21:25). Ka të ngjarë që Pali ta ketë dëgjuar një thënie të tillë prej njërit prej dishepujve.

Shpëtimtari

Pali na thotë se dhurata që i dërguan filipianët, ishte “si një parfum”, që i dha erë të mirë qelisë së burgut. Edhe pse dhuratën ia kishin dërguar atij, prapëseprapë Pali na thotë se ajo ishte si një flijim i pranueshëm nga Perëndia. Ndoshta me këto fjalë ai po i referohej flijimeve të falenderimit të përmendura tek Levitiku 7:12-15. Të krishterët jo-judenj nuk e kishin për detyrë që të ofronin flijimet e Dhiatës së Vjetër, edhe pse i njihnin mirë traditat dhe zakonet e judenjve. Kjo ofertë e filipianëve ishte si një flijim i pëlqyeshëm nga Perëndia dhe Ai kishte për t’i shpërblyer ata me bollëk. Ata që nuk japin, nuk ngopen kurrë, kurse ata që japin me gjithë zemër dhe që nuk presin të marrin shpërblim, ata marrin me bollëk prej Zotit.

Përfundim                      

Ka të krishterë që nuk besojnë se duhet të japësh oferta, apo se duhet t’i mbështesësh financjarisht ata që predikojnë fjalën e Perëndisë. E megjithatë, njerëz të tillë presin që Zoti t’i bekojë! Kisha nuk ka nevojë për ofertën e kopracëve! Ungjilli i Krishtit vërtet që përhapet me anë të fuqisë së Perëndisë, por është mirë që, ata që i janë mirënjohës Zotit që i ka shpëtuar, të japin me gjithë zemër, me qëllim që edhe të tjerët të shpëtohen. Zoti ka për të na kërkuar një ditë llogari në Qiell. “Kështu, pra, secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet” (Romakëve 14:12)… “Ata do të japin llogari para atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur” (1 Pjetrit 4:5)… “Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen” (2 Korintasve 5:10). Është vërtet gëzim i madh ta dish se Zoti është shpërblenjësi i besnikëve. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6). Perëndia i regjistron dhe i mban mend frytet e besimit tonë. “Sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve” (Hebrenjve 6:10).

Mbrapa

Advertisements