Zia e bukës

“Në kohën e Davidit pati zi buke për tre vjet me radhë; Davidi kërkoi fytyrën e Zotit dhe Zoti i tha: “Kjo ndodh për shkak të Saulit dhe të shtëpisë së tij gjakatare, sepse ai i ka bërë të vdesin Gabaonitët”. Atëherë mbreti thirri Gabaonitët dhe u foli atyre. (Gabaonitët nuk u përkisnin bijve të Izraelit, por ishin mbeturina të Amorejve; bijtë e Izraelit ishin betuar se do t’i kursenin, por Sauli, në zellin e tij të madh për bijtë e Izraelit dhe të Judës, ishte orvatur t’i shfaroste). Atëherë Davidi u tha Gabaonitëve: “Çfarë duhet të bëj për ju dhe në ç’mënyrë duhet të veproj për të ndrequr gabimin e bërë, me qëllim që ju të bekoni trashëgiminë e Zotit?”. Gabaonitët u përgjigjën: “Ne nuk na intereson të kemi ar apo argjend nga Sauli apo nga shtëpia e tij, as duhet të vrisni për ne ndonjë njeri në Izrael”. Mbreti tha: “Atë që kërkoni, unë do ta bëj për ju”. Ata iu përgjigjën mbretit: “Për njeriun që na ka konsumuar dhe që ka menduar të na shfarosë për të na zhdukur nga tërë territori i Izraelit, të na dorëzohen shtatë burra nga trashëgimtarët e tij dhe ne do t’i varim përpara Zotit në Gibeah të Saulit, që është i zgjedhuri i Zotit”. Mbreti tha: “Do t’jua dorëzoj”. Mbreti e kurseu Mefoboshethin, birin e Jonatanit, bir të Saulit, për shkak të betimit të Zotit që ekzistonte midis tyre, midis Davidit dhe Jonathanit, birit të Saulit. Por mbreti mori dy bijtë që Ritspah, bija e Ajahut, i kishte lindur Saulit, Armonin dhe Mefibeshethin, dhe pesë bijtë që Mikal, e bija e Saulit, i kishte lindur Adrielit nga Mehola, birit të Barzilait, dhe ua dorëzoi Gabaonitëve, që i varën në mal, përpara Zotit. Kështu u vranë në ditët e para të korrjeve, kur filloi korrja e elbit. Ritspah, e bija e Ajahut, mori një mbulesë të ashpër dhe e shtriu mbi shkëmb, duke qendruar aty nga fillimi i korrjes deri sa mbi ta ra shi nga qielli. Ajo nuk i lejoi shpendët e qiellit të zbrisnin mbi ta gjatë ditës dhe egërsirat e fushave të afroheshin natën. Kur i treguan Davidit atë që kishte bërë Ritspah, bija e Ajahut, konkubinë e Saulit, Davidi shkoi të marrë eshtrat e Saulit dhe ato të Jonathanit, birit të tij, nga banorët e Jabeshit të Galaadit, që i kishin marrë me vete nga sheshi i Beth-Shanit, ku Filistejt i kishin varur kur kishin mundur Saulin në Gilboa. Ai solli që andej eshtrat e Saulit dhe ato të birit të tij, Jonatanit, dhe u mblodhën edhe eshtrat e atyre që ishin varur. Eshtrat e Saulit dhe të Jonatanit, birit të tij, u varrosën në vendin e Beniaminit, në Tselah, në varret e Kishit, atit të Saulit. Kështu bënë të gjitha ato që mbreti kishte urdhëruar. Pas kësaj Perëndia dëgjoi lutjen që u bë për vendin” (2 Samuelit 21:1-14).

Parathënie

Tre kapitujt në vazhdim të librit të 2 Samuelit nuk na paraqiten si të rradhitura në mënyrë kronologjike dhe ndoshta mund të jenë futur këtu, për t’iu ofruar lexuesve më shumë detaje rreth jetës së Davidit. Ne thjesht do ta përqëndrojmë vëmendjen tonë tek këto detaje, ashtu siç na paraqiten në Bibël.

Lutja

Izraeli ishte shkatërruar fare nga zija tre-vjeçare e bukës. Davidi ishte i mendimit se mos vallë dikush kishte bërë ndonjë mëkat, apo ndonjë vepër tjetër të ligë dhe nuk ia kishte rrëfyer atë Zotit, ndaj edhe ai vendosi që t’i lutej vetë Perëndisë për këtë qëllim.

Mëkati

Davidi mori një përgjigje të menjëhershme prej Zotit. Sauli i kishte vrarë Gabaonitët në mënyrë brutale. Bibla nuk na jep ndonjë të dhënë për këtë fakt, por disa komentatorë të Biblës na sugjerojnë se kjo zi buke duhet të ketë ndodhur në fillim të sundimit të Davidit si mbret dhe para incidentit të tij me Bathshebën. Izraelitët iu kishin dhënë besën Gabaonitëve se do t’i mbronin: “Ne u jemi betuar atyre në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit; prandaj nuk mund t’i ngasim” (Jozueu 9:19). Por mbreti Saul nuk e kishte mbajtur këtë betim. Kjo na tregon se sa i ligë ishte ai, sepse i ishte dhënë urdhri, që t’i therte (sakrifikonte) kafshët e Amonitëve, por ai nuk e zbatoi atë urdhër të Perëndisë. Përkundrazi, vrau ata që ishin nën kujdesin e Zotit. Fjalët e Samuelit e përshkruajnë mirë jetën e Saulit: “Nuk ke respektuar urdhërimin që Zoti, Perëndia yt, të kishte dhënë” (1 Samuelit 13:13). Sauli i kishte vrarë Gabaonitët, për t’iu lënë mbresa izraelitëve dhe banorëve të Judës, por ky akt nuk i la aspak mbresa Perëndisë, ndaj edhe Ai kishte dërguar zinë e bukës.

Të dhënat

Davidi u interesua për këtë punë dhe i thirri udhëheqësit e Gabaonitëve, që t’i tregonin se ç’kishte ndodhur. Ata i thanë se Sauli kishte dhënë urdhër, që ata të shfaroseshin komplet si popull prej Izraelit. Deri dje, Gabaonitët kishin qenë shërbëtorë të Izraelit, por Sauli donte t’i zhdukte fare nga faqja e dheut. Ai donte të kryente një olokaust, ndoshta jo të asaj shkalle sa ai i luftës së dytë botërore, por, prapëseprapë, një olokaust i kryer me të njëjtën urrejtje si ajo e Adolf Hitlerit.

Ka të ngjarë që anëtarët e familjes së Saulit të kishin ditur diçka rreth këtij plani, por nuk e kishin hapur gojën për ta kundërshtuar mbretin. Kjo mund të ketë ndodhur, në kohën kur Davidi ishte i syrgjynosur, në mërgim. Gabaonitët nuk kishin patur mundësi për ta mbrojtur veten prej këtij sulmi të ashpër.

Drejtësia

Davidi tanimë e kuptoi se i duhej t’i vinte gjërat nëpër vijë, ndaj edhe i pyeti Gabaonitët se ç’donin që ai të bënte për hatër të tyre. Nuk pyeti gjykatësit e Izraelit, por vetë njerëzit, që kishin vuajtur nga ky krim. Përgjigja e Gabaonitëve mund të na duket shumë e rëndë, por është për t’u theksuar fakti se Davidi veproi me drejtësi, sepse përndryshe, Perëndia nuk do ta kishte larguar zinë e bukës. Ata, që u ndëshkuan për atë që kishte bërë Sauli, ishin vetë pjesëtarë të familjes së tij, të cilët mund të kishin luajtur një rol të rëndësishëm në kryerjen e këtij krimi kundra Gabaonitëve. Davidi nuk i egzekutoi vetë këta burra, ngaqë Gabaonitët i thanë se iu takonte atyre, që ta vinin vetë drejtësinë në vend. Varja e burrave do të bëhej në Gibeah, në vendlindjen e Saulit (1 Samuelit 10:26).

Davidi e mbrojti Mefiboshethin, ashtu siç i kishte premtuar edhe Jonathanit (1 Samuelit 20:14-16). Kjo na vërteton akoma se sa i ndershëm dhe se sa i drejtë ishte në këtë kohë Davidi. Ata, që kishin për të vdekur, ishin dy djemtë e Ritspahut, konkubinës së Saulit (2 Samuelit 3:7). Pesë të tjerët ishin djemtë e adoptuar të Mikalit, sepse ajo vetë ishte shterpë dhe “nuk pati fëmijë deri ditën e vdekjes së saj” (2 Samuelit 6:23). Mikali ishte motra e Merabit, nënës së këtyre pesë djemve. Kjo e fundit mund të ketë vdekur, duke e lënë të ve burrin e saj, Adrielin, i cili u martua më pas me Mikalin. Merabi i ishte premtuar në fillim Davidit si nuse, por Saulit i ishte ndërruar mendja. (1 Samuelit 18:17-19).

Në këtë pasazh e vëmë re se si Ritspahu mbajti zi për djemtë e saj, duke i ruajtur trupat e tyre me besnikëri të madhe, ditë e natë, që të mos i hanin zogjtë apo kafshët. Ajo mbajti zi gjithashtu edhe për Saulin dhe për Jonathanin, ngaqë ndoshta varja e të bijve i solli asaj ndërmend kohën, kur filistenjtë kishin varur dikur edhe trupat e vdekur të Saulit dhe të Jonathanit. Davidit i erdhi keq për Ritspahun dhe dha urdhër që kockat e Saulit dhe të Jonathanit të merreshin prej Jabeshit të Galaadit dhe të varroseshin në varrin familjar të Kishit, së bashku me djemtë e Ritspahut. 

Përfundim

Kjo ngjarje, kurdo që të ketë ndodhur, na tregon se si veproi Davidi, kur e mori vesh mëkatin e kryer prej Saulit. Davidit iu desh ta vinte drejtësinë në vend, një detyrë kjo jo shumë e lehtë, apo gëzim-prurëse, por ai mori bekimin e Perëndisë dhe vendi u çlirua prej zisë së bukës.

Mbrapa

Advertisements