Zoti dhe Gjuha e Zgjidhur

Jezusi udhëtoi për në krahinën e Dekapolit, e cila përbëhej prej dhjetë qytetesh, të ndodhura ndërmjet Damaskut dhe Shkretëtirës së Arabisë. Ai nuk hyri brenda në asnjërin prej këtyre qyteteve, por, përkundrazi, u ul në malin me pamje nga krahina. “Pastaj, mbasi u nis që andej, Jezusi erdhi pranë detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul atje” (Mateu 15:19). Pikërisht në këtë vend, ndodhi një mrekulli e mahnitshme.

Mrekullia

Mbasi u nis përsëri nga krahina e Tiros dhe e Sidonit, Jezusi arriti te deti i Galilesë, në mes të krahinës së Dekapolit. Dhe i paraqitën një të shurdhët që mezi fliste, dhe iu lutën t’i vërë duart mbi të” (Marku 7:31-32).

Banorët e Dekapolit u turrën për ta takuar Jezusin. Kjo ishte një gjë e shënuar – zemrat e këtyre banorëve duhet të ishin prekur prej dëshmisë së njeriut, që ishte çliruar nga legjioni i demonëve (shiko Marku 5:1-20). “Dhe ai shkoi dhe nisi të predikojë nëpër Dekapolis për të gjitha ato që i kishte bërë Jezusi; të gjithë u mrrekulluan” (Marku 5:20). Ata tani po e pranonin krahëhapur Atë, të cilin më parë e kishin mohuar: “Atëherë ata filluan t’i luten Jezusit që të largohej nga krahina e tyre” (Marku 5:17). E panë se ç’ishte në gjendje të bënte Jezusi me të pushtuarin prej frymërave të ndyra, prandaj edhe patën besim se Ai do të dinte ç’të bënte me një shurdh memec. Kjo mrekulli do të shërbente edhe një herë si provë se Ai ishte Perëndi. “Kush e ka bërë gojën e njeriut, ose kush e bën njeriun të pagojë, të shurdhër, me sy ose të verbër? A nuk jam unë vallë, Zoti?” (Eksodi 4:11).

Edhe pse kjo mrekulli ishte e madhe në vetvete, ajo, prapëseprapë, nuk ishte mrekullia më e madhja nga të gjitha, sepse mrekullia më e madhe ndodh në shpirtin e një mëkatari të penduar. Zoti mund ta çlirojë shurdh memecin shpirtëror, duke bërë që ai ta dëgjojë zërin e Tij dhe duke i vënë një këngë të re në zemër. “Por unë jam si një i shurdhër që nuk dëgjon dhe një memec që nuk e hap gojën… Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit” (Psalmi 38:13, 40:3). Ai mund ta transformojë mëkatarin më të madh e më zemërngurtë në një shenjtor, i cili arrin të dëshmojë për hirin e Perëndisë. Ai, që shëroi shurdh memecin, mund të shërojë edhe sëmundje të tjera të pashërueshme dhe mund t’i shpëtojë shpirtrat e njerëzve.

Metoda e mrekullisë

Si e mori veçmas, larg turmës, ia shtiu gishtrinjtë në vesh dhe mbasi e pështyu ia preku gjuhën. Pastaj i drejtoi sytë nga qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha”, që do të thotë: “Hapu!”. Dhe menjëherë iu hapën veshët, iu zgjidh nyja e gjuhës dhe foli rrjedhshëm” (Marku 7:33-35).

Jezusi përdori mjete të jashtëzakonshme për të kryer këtë mrekulli. Por, e vëmë re se Ai nuk bëri bujë, ashtu siç bëjnë shumë prej aktorëve të sotëm fetarë. Nuk jemi të sigurtë për arsyen se përse e përdori këtë lloj metode Jezusi për të shëruar burrin. Por në këtë akt, shohim diçka prej fuqisë krijuese të Tij. Sapo u tha fjala “Effatha” (Hapu), burri u shërua menjëherë plotësisht. Metoda mund të duket e mistershme, por rezultati ishte i njëjti edhe si herët e tjera. Burri u shërua me anë të fjalës dhe prekjes së Jezusit.

Kjo mrekulli na mëson, përveç të tjerave, se Zotin nuk mund ta mbyllim dot brenda në kutinë e metodave dhe të riteve fetare. Ai nuk përdor vetëm një mënyrë të vetme për shpëtimin e mëkatarëve. Nganjëherë, Perëndia na befason, duke mos vepruar sipas asaj, që është si normë e caktuar. Në botën e sotme islamike, ka shumë njerëz, që po vijnë tek Krishti me anë të ëndrrave. E kush mund t’i japë mend Zotit dhe t’i thotë se nuk mund ta bëjë dot një gjë të tillë, për t’iua tërhequr vëmendjen myslimanëve? Nëse njerëzit nuk do t’ia vënë veshin predikimit të Fjalës, atëherë Perëndia mund t’i zgjojë ata nga gjumi, me anë të ngjarjeve të jashtëzakonshme, sëmundjeve dhe vuajtjeve. Pavarësisht nga metodat, që përdor Perëndia për ta sjellë mëkatarin tek kryqi, rezultati është gjithnjë i njëjtë – shpëtim nëpërmjet gjakut të Krishtit. Kush jemi ne, që t’i japim këshillë Perëndisë sesi duhet të veprojë? “Pse hahesh me të, kur ai nuk jep llogari për asnjë nga veprimet e tij? Në fakt Perëndia flet në një mënyrë apo në një tjetër por njeriu nuk e vë re: në një ëndërr, në një vegim të natës, kur një gjumë i rëndë i zë njerëzit, kur dremitin në shtretërit e tyre. Atëherë ai hap veshët e njerëzve dhe vulos paralajmërimet që u bën, për ta larguar njeriun nga veprimet e tij dhe për ta mbajtur larg nga kryelartësia, për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për të penguar që jeta e tij të mbarojë nga shpata. Njeriu paralajmërohet gjithashtu me dhembjen në shtratin e vet dhe me torturën e pandërprerë të kockave të tij, aq sa i neveritet buka dhe madje edhe ushqimet më të shijshme. Mishi konsumohet sa mbyll e hap sytë, ndërsa kockat e tij, që më parë nuk dukeshin, tani dalin jashtë; kështu shpirti i tij i afrohet gropës dhe jeta e tij atyre që sjellin vdekjen. Por në rast se pranë tij ka një engjëll, një interpret, një i vetëm ndër një mijë, që t’i tregojë njeriut detyrën e tij. Perëndisë i vjen keq për të dhe thotë: “Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të”. Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij. Do t’i lutet fort Perëndisë, do të gjejë hir pranë tij dhe do të mund të sodisë fytyrën e tij me gëzim, sepse Perëndia do ta ketë rivendosur njeriun në drejtësinë e tij” (Jobi 33:13-26).

Të habiturit prej mrekullisë

Dhe Jezusi i urdhëroi ata që të mos i tregojnë askujt; por sa më tepër ua ndalonte, aq më tepër ata e përhapnin. Dhe, të habitur shumë, thonin: “Ai çdo gjë e ka bërë mirë: ai i bën që të shurdhët të dëgjojnë dhe memecët të flasin!” (Marku 7:36-37).

Jezusi, jo vetëm që e shëroi shurdh memecin, por edhe iua hapi sytë atyre, që ishin dëshmitarë të kësaj mrekullie. Ata, që më parë e kishin mohuar, tani po e lavëronin, ngaqë çdo gjë e bënte mirë. Mrekullia i kishte bërë që ta kuptonin më mirë se kush ishte Jezusi. “Turmat mrrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbërit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit” (Mateu 15:31)… “Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona” (Psalmi 118:33).

Po ne, a i jemi mirënjohës Zotit për gjithçka, që ka bërë për ne? Ai na ka çliruar prej verbërimit shpirtëror: “Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme” (1 Pjetrit 2:9). Mund të mos e dimë se ç’do të na sjellë e nesërmja, por mund të kemi besim se Krishti do të jete me ne në çdo hap. Bariu ynë i Mirë nuk gabon kurrë, por na drejton në kullota të mira: “Kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve. Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë. Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij. Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve…Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë” (Gjoni 10:2-5, 9). Një ditë, nga goja e Mbretit do të dëgjojmë këto fjalë: “ lumtë” (Mateu 25:21). Atëherë, edhe ne, me lavdërim dhe falenderime, do t’i përgjigjemi: “Zot, Ti çdo gjë e ke bërë mirë”.

Përfundim

Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem” (1 Korintasve 13:12). Sa më shumë të kalojmë kohë me Krishtin, aq më shumë do ta kuptojmë Atë. Ata, që rriten në Të, i mbajnë veshët hapur për të dëgjuar zërin e Tij: “Delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij” (Gjoni 10:4). Goja e

tyre është e hapur për të kënduar lavdet e Tij: “O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd” (Psalmi 51:15). Sytë e tyre, gjithashtu, janë të hapura për të parë gjëra të mrekullueshme në fjalën e Tij: “T’u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cilat janë pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët” (Efesianëve 1:18). Bashkë me autorin e psalmit, mund të themi: “Këndojini Zotit një himn të ri, sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin” (Psalmi 98:1).

Mbrapa

Advertisements