Zoti dhe Lebrozi

Parathënie

Marku na prezanton me një mrekulli tjetër të Birit të Perëndisë. Kemi mësuar tashmë se Jezusi mundej që të shëronte çdo lloj sëmundjeje dhe të dëbonte demonë, por si veproi Ai, kur u ballafaqua me sëmundjen më të keqe të asaj kohe? Lebrozën e kishin frikë të gjithë, por, a do t’i shmangej, vallë Jezusi, kontaktit me një lebroz?

Sëmundja e frikshme

Dhe erdhi tek ai një lebroz i cili, duke iu lutur, ra në gjunj dhe i tha: “Po të duash, ti mund të më pastrosh” (Marku 1:40).

Në botën perëndimore, ne nuk shohim shumë njerëz me lebrozë, por kjo sëmundje egziston akoma në Indi, Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Në fakt, organizata “Misioni i Lebrozës” u vjen në ndihmë njerëzve, që kanë këtë lloj sëmundjeje. Në kohët biblike, lebroza ishte një sëmundje komplet e pashërueshme. Disa komentues të Biblës kanë sugjeruar se fjala ‘lebrozë’ përfshinte lloje të ndryshme sëmundjesh të lëkurës, por një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Lebroza prekte lëkurën, gjakun dhe kockat e të sëmurit, derisa sa gishtat e tij të këmbës dhe të duarve, madje edhe hunda dhe veshët kalbeshin dhe binin përtokë. I gjithë trupi i lebrozit ishte në kalbëzim e sipër! Përveç kësaj, lebrozi ishte i izoluar nga shoqëria dhe konsiderohej i papastër. Atij kurrë nuk i lejohej që të ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me një njeri të shëndetshëm.

Mëkati është më i keq sesa lebroza, sepse ai infekton çdo pjesë të qënies njerëzore: shpirtin, trupin, ndërgjegjen, vullnetin, kujtesën, gjykimin dhe emocionet. Mëkati shkatërron gjithçka, që bie në kontakt me të. Na bën të pa-aftë për të qenë në praninë e Perëndisë, prandaj edhe jemi të papastër: “Jemi të gjithë si një gjë e papastër” (Isaia 64:6). Mëkati është më i keq sesa lebroza, sepse ai e tërheq mëkatarin drejt Liqenit të Zjarrtë. Lebrozi e dinte se në ç’gjendje ishte, prandaj edhe thërriste: “I papastër, i papastër!”, që t’i paralajmëronte të tjerët. Por lebrozi shpirtëror nuk ka as njohurinë, as ndërgjegjen e tillë.

Prekja e butë 

Dhe Jezusi, duke e mëshiruar, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Po, e dua, qofsh pastruar!”. Dhe, posa tha këto, menjëherë lebra e la dhe u shërua” (Marku 1:41-42).

Kjo sëmundje e frikshme nuk ia preu vrullin Zotit Jezus Krisht. Përkundrazi, Ai e preku lebrozin me dhembshuri. Ata që ishin rreth e rrotull, ndoshta menduan se Jezusi ishte i marrë, që të bënte atë që ishte e paimagjinueshme për t’u bërë. Por lebrozi u shërua, sapo Jezusi e preku butësisht.

Mund ta marrim me mend se ç’gëzim e ç’emocion ndjeu lebrozi, kur pa se lebroza i ishte zhdukur menjëherë dhe plotësisht. Kishte ndodhur e pamundura! Nuk është për t’u habitur, pra, se përse ai donte të shkonte e t’iu tregonte të gjithëve për këtë ngjarje.

Edhe ne kemi një histori të mahnitshme për të treguar. Dikur ishim lebrozë shpirtërorë, të papastër përpara Perëndisë dhe skllevër të mëkatit. Por dikush na e preku dhe na e shëroi shpirtin e sëmurë prej mëkatit. Isaia 59:2-3 thotë: “Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më. Sepse duart tuaja janë ndotur me gjak dhe gishtërinjtë tuaj me paudhësi; buzët tuaja thonë gënjeshtra, gjuha juaj pëshpërit çoroditje”. E megjithatë, Shpëtimtari erdhi për të na çliruar, në momentin kur i rrëfyem Atij nevojën për falje dhe shpëtim.

Rregulli i çuditshëm

Duke i thënë: “Ruhu se i tregon gjë ndokujt, por shko, paraqitu te prifti dhe ofro për pastrimin tënd sa ka urdhëruar Moisiu, si dëshmi për ta”. Por ai, sapo doli, filloi ta shpallë dhe ta përhapë fort faktin, sa që Jezusi nuk mund të hynte më publikisht në qytet, por qëndronte përjashta nëpër vende të vetmuara; dhe nga çdo anë vinin tek ai” (Marku 1:44-45).

Jezusi i dha urdhër lebrozit që të mos tregonte se ç’kish ndodhur, sepse Ai nuk donte që emocionet ta vështirësonin predikimin e ungjillit. Lebrozi nuk mundi që ta përmbante veten, prandaj edhe shkoi dhe ua përhapi lajmin të gjithëve. Mosbindja e tij iu bë pengesë punës së Zotit.

Zelli i tërbuar nuk është metoda e zakonshme, që kërkon Perëndia prej pasuesve të Tij, në një kohë që ata përhapin fjalën e Perëndisë. Ai nuk dëshiron që emocionet të na bëhen pengesë, kur kryejmë punën e Tij. Nganjëherë, ne zotërojmë atë lloj zelli, të cilit i mungon mençuria. Kurrë nuk duhet të lejojmë që veprat tona të mira t’ia zënë vendin veprës më të mirë të Perëndisë. Është për t’u habitur fakti se Jezusi na urdhëron që t’i tregojmë çdo njeriu që takojmë rreth Tij, por zakonisht, ne nuk e hapim fare gojën.         

Përfundim

Biri i Perëndisë e di se ç’është më e mira për secilin prej nesh. Ai ka bërë kaq shumë për ne, duke na shpëtuar shpirtin dhe duke na iu përgjigjur lutjeve. Po, duhet t’i tregojmë botës rreth atyre gjërave që ka bërë Perëndia për ne, por le të mos harrojmë që t’iu japim mundësinë të tjerëve që të shohin Çlirimtarin, në vend të të çliruarit, të Bekuarin, në vend të të bekuarit dhe Shëruesin, në vend të të shëruarit. Ai do të lavdërohet, atëherë kur ne i drejtojmë mëkatarët tek Ai (dhe jo tek vetja jonë): “Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë tek unë” (Gjoni 12:32).

www.leprosymission.org.uk

The Leprosy Mission
Goldhay Way
Orton Goldhay
Peterborough
PE2 5GZ

Mbrapa

Advertisements