Zoti është i madh

I madh është Zoti” (Psalmi 48:1).

Parathënie                           

Teksti kryesor i këtij studimi gjendet i përfshirë tek Isaia 40:12-31, ku profeti na thotë se Zoti është i madh. Të shumtë janë ata njerëz, që kujtojnë se janë të mëdhenj e të famshëm, por në fakt, nuk janë askushi. Fetë e ndryshme të kësaj bote kujtojnë se perënditë e tyre janë të mëdhenj, por në fakt ato janë thjesht qënie imagjinare, të sajuara prej njerëzve që s’kanë mend. Asgjë dhe askush nuk është më i madh sesa Zoti, Perëndia ynë. Një e vërtetë e tillë duhet shpallur hapur.

Perëndia është më i madh sesa krijesa

Kush i ka matur ujëat me gropën e dorës, kush ka marrë përmasat e qiellit me pëllëmbë, kush ka mbledhur pluhurin e tokës në një masë apo ka peshuar malet me një peshore dhe kodrat e tyre me një kandar? Kush i ka marrë përmasat e Frymës së Zotit, ose si këshilltari i tij i ka dhënë mësime? Me kë është konsultuar, që t’i jepte mend, t’i mësonte shtegun e drejtësisë, t’i jepte dituri dhe t’i tregonte rrugën e arsyes?” (Isaia 40:12-14).

Zoti i ka matur me gishtat e Tij oqeanet e botës. E di me saktësi sesa e ka universi gjatësinë, gjerësinë dhe lartësinë e tij. As astronomët më të famshëm nuk i dinë dot gjëra të tilla! Zotit i duket i vogël universi i madh! Ai e di sesa dhe ka toka, sesa i lartë është çdo mal e kodër. A nuk e dëgjoni, pra, zërin e Tij tek na thotë se është i madh?

Perëndia është më i madh sesa kombet

Ja, kombet janë si një pikë ujë në një kovë, konsiderohen si pluhuri i një peshoreje; ja, ai i ngre ishujt si të ishin një send shumë i vogël. Libani nuk do të mjaftonte për të siguruar lëndën djegëse që i duhet zjarrit, as kafshët e tij nuk do të mjaftonin për olokaustin. Të gjitha kombet janë si një hiç para tij dhe konsiderohen prej tij si një hiç dhe një kotësi” (Isaia 40:15-17).

Kombi ynë e quan veten të madh. SHBA-ja e deklaron veten si kombin më të madh në botë. Por si i konsideron Zoti kombet e botës? Ai i konsideron ata si një pikë uji e mbetur pasi është zbrazur tërë kova, apo si një pluhur i imët mbi peshore. Në fakt, krahasuar me madhështinë e Perëndisë, kombet e botës janë absolutisht si hiçi. Pa imagjinoheni këtë fakt: sikur t’i mblidhnim të gjitha kafshët për t’i flijuar mbi të gjithë drutë e prerë prej Libanit si shenjë adhurimi ndaj Perëndisë, prapëseprapë Ai do ta konsideronte këtë veprim si ofezë ndaj madhështisë së Tij! Kështu, pra, ç’mund t’i japim Atij si flijim?

Perëndia është më i madh sesa perënditë e botës

Kujt dëshironi t’i përngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t’i vinit përballë? Një artist shkrin një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe argjendari e vesh me ar dhe shkrin zinxhirë të vegjël prej argjendi. Ai që është tepër i varfër për një ofertë të tillë zgjedh një dru që nuk kalbet dhe gjen një artizan të shkathët, që i përgatit një shëmbëlltyrë të gdhendur që nuk lëviz” (Isaia 40:18-20).

Myslimanët thonë se perëndia i tyre është i madh. Idhujt e tjerë konsiderohen të mëdhenj prej atyre, që i adhurojnë. Por Zoti i Biblës është i vetmi Perëndi, që është i madh dhe i denjë për t’u adhuruar. Perëndia ynë është i gjithëfuqishëm dhe i gjithëpushtetshëm. Perënditë e paganëve janë “idhuj të pagojë” (1 Korintasve 12:2). A duhet të kemi frikë prej këtyre perëndive, në një kohë që as nuk mund t’i krahasojmë dot ato me Zotin? Ata që përdorin ikona apo imazhe të tjera, për ta përfaqësuar Krishtin, e ofendojnë Atë, në vend që t’ia deklarojnë madhështinë Atij. Shpëtimtari ynë është “Bariu i Madh” (Hebrenjve 13:20), dhe “Perëndia i Madh” (Titit 2:13).  

Perëndia është më i madh sesa udhëheqësit e botës

Por nuk e dini, nuk e keni dëgjuar? A nuk ju është njoftuar që në fillim? Nuk e keni kuptuar nga themelet e tokës? Ai është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca; ai i shpalos qiejtë si një velo dhe i hap si një çadër ku mund të banosh. Ai i katandis princat në një hiç dhe i bën të panevojshëm gjykatësit e tokës. Sapo janë mbjellë, sapo janë hedhur në tokë sapo kërcelli i tyre ka lëshuar rrënjë, ai fryn mbi ta dhe ata thahen; uragani i merr me vete si kashtë” (Isaia 40:21-24).

Në historinë njerëzore ka patur plot mbretër, që e kanë quajtur veten “të madh”, si p.sh. Aleksandri i Madh, apo Pjetri i Madh. Por ku janë tani këta mbretër? Që nga udhëheqësit e mëdhenj të Lindjes së Mesme e deri tek mbretërit e Perëndimit, secili prej tyre është thjesht një fjali e vetme në librin e historisë. Atyre iu ka ikur përgjithmonë tërë pasuria dhe fuqia. S’iu ka mbetur më krenari apo lavdi. Perëndia i madh, që është Gjykatësi i udhëheqësve të botës, fryn mbi ta si era dhe i bën të thahen si kashta. Këtë fat do të kenë të gjithë mbretërit, kryeministrat dhe presidentët, që nxjerrin ligje ofenduese kundra Perëndisë së Shenjtë të Qiellit. Drejtuesit tanë kombëtarë kujtonë se janë të zgjuar, por harrojnë se Perëndia sheh gjithçka që bëjnë. Ai dëgjon gjithçka që thonë. Një ditë, Ai ka për t’u ngritur kundra tyre, ashtu siç është ngritur edhe kundra shumë e shumë të tjerëve në të kaluarën.

Perëndia është më i madh sesa yjet e qiellit

Ngrini sytë tuaja përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij dhe forcën e tij, asnjë nuk mungon” (Isaia 40:26).

Njeriu iu ka vënë emër të gjithë yjeve të dukshëm, por Perëndia i vuri emër secilit prej tyre, në momentin që i krijoi. Thuhet se ka 100 miljonë galaksi dhe secila prej tyre përbëhet prej 5 miljardë yjesh. Dhe Zoti Perëndi i njeh të gjitha me emër! Sa i madh është universi! U krijua nga një Perëndi i madh!

Perëndia është më i madh sesa dobësitë tona

Pse thua, o Jakob, dhe ti, Izrael, shpall: “Rruga ime i është fshehur Zotit dhe për të drejtën time nuk kujdeset Perëndia im? Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarësia e tij është e panjohshme. Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit. Të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen, por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur” (Isaia 40:27-31).

A e kuptojmë, pra, arsyen se përse na thotë Perëndia se është i madh? Ai na njeh mirë dhe e ka një rrugëzgjidhje për dobësitë tona. Shpesh, kur punët nuk na shkojnë në rregull, kujtojmë se Perëndia na ka harruar. Por Ai nuk është indiferent ndaj problemeve tona. Krishti ka premtuar se do t’iu japë fuqi atyre që janë të dobët. “Por ai më tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi’’ Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë” (2 Korintasve 12:9). Ky Perëndi i madh na jep forcën, për t’iu dalë mbanë vështirësive, për të triumfuar si një ushtri e madhe besimi dhe për të qenë të denjë për Të në këtë botë. Ata që nuk e njohin Zotin, nuk e kanë një forcë të tillë. Nëse Perëndia i madh mund ta krijojë universin brenda gjashtë ditësh, atëherë a nuk ka mundësi Ai të na rinovojë e të na ripërtërijë me anë të fuqisë së Tij? Pa imagjinoheni: fuqia që krijoi gjithçka, na është dhënë edhe neve për ta mposhtur çdo dobësi e lodhje!

Përfundim

Thelbi i studimit tonë gjendet i përmbledhur në vargjet e fundit të tekstit biblik të sapopërmendur. Perëndia është më i madh.

Mbrapa