Zoti i Drejtë dhe Drejtuesit Fetarë

Këtu, Marku na prezanton me fenë e Skribëve dhe të Farisenjve, e cila ishte e cekët, plot me hipokrizi dhe zemërngurtësi. Skribët dhe Farisenjtë gjenin gabime, por Jezusi gjeti dishepuj. Teksti na tregon sesa i cekët dhe i korruptuar mund të bëhet njeriu në fushën e fesë. Të njëjtat kushte egzistojnë edhe në qarqet fetare të ditëve të sotme.

Zbrazësia

Atëherë rreth tij u mblodhën farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jeruzalemi. Ata vunë re se disa nga dishepujt e tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara, dhe i paditën. Në fakt farisenjtë dhe të gjithë Judenjtë nuk hanë pa i larë më parë me shumë kujdes duart, duke iu përmbajtur traditës së pleqve; dhe, kur kthehen nga tregu, nuk hanë pa u pastruar më parë. Ka shumë gjëra të tjera që ata duhet të respektojnë për shkak të traditës: larjen e kupave, të brokave, të enëve prej bakri dhe të shtretërve” (Marku 7:1-4).

Pleqtë e kombit Jude gjenin vazhdimisht gabime tek Jezusi dhe tek dishepujt e Tij. Por ata ishin kaq të verbër nga ana shpirtërore, saqë nuk mund ta shikonin dot mëkatin e tyre. Kishin thurur një sistem të madh ritesh të rrepta, të cilat ia kishin zënë vendin Shkrimeve të Shenjta (të Biblës). Ata iua impononin njerëzve këto rite. Iu kushtonin shumë vëmendje ceremonive nga ana e jashtme, por e linin pas dore domosdoshmërinë për shenjtërinë e brendshme.

Asnjë komb nuk është bekuar aq shumë, sa kombi i Izraelit. Atyre iu dhanë Ligji dhe Profetët dhe përmes tyre erdhën Shkrimet e Shenjta dhe Shpëtimtari. “Orakujt e Perëndisë iu besuan atyre” (Romakëve 3:2). Por, asnjë popull nuk është aq fajtor përpara Perëndisë, sa ç’janë ata, sepse ata i kanë abuzuar dhe i kanë hedhur poshtë dhuratat dhe privilegjet, që iu ka dhënë Perëndia. Në vend që ta adhuronin dhe ta nderonin Zotin, ata ndoqën fenë e kupave dhe të brokeve. Drejtuesit fetarë ishin “udhëheqës të verbër”, që nuk e kishin vajosjen (thirrjen) për ta drejtuar me të vërtetë popullin (Mateu 23:16, Marku 6:34). Një fe e bazuar në rite fetare nuk mund ta ushqejë dot kurrë shpirtin, apo ta shenjtërojë zemrën.

Kur doktrina e rreme dhe ritet fetare ia zënë vendin fjalës së Perëndisë, atëherë edhe kisha është gati për një rënie të tmerrshme nga hiri (i Perëndisë). Nëse largohemi prej Rrugës Kryesore të së vërtetës dhe të shenjtërisë së Mbretit, atëherë do ta gjejmë veten, duke larë kupat dhe broket e vetë-drejtësisë sonë. Ata që i shkojnë pas riteve dhe ceremonive fetare, kurrë nuk e predikojnë ungjillin dhe kurrë nuk iu bëjnë thërrje njerëzve për t’u penduar dhe për të besuar tek Krishti. Si besimtarë të Biblës që jemi, e kemi për detyrë që të luftojmë “për besimin, që u qe trasmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë” (Juda :3), sepse, përndryshe, feja jonë do të jetë aq e zbrazët, sa edhe ajo e Skribëve dhe e Farisenjve. “Prandaj unë po ju them: në qoftë se drejtësia juaj nuk është më e lartë nga ajo e skribëve dhe e farisenjve ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve” (Mateu 5:20).

Hipokrizia

Pastaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: “Përse dishepujt e tu nuk sillen sipas traditës së pleqve, por hanë bukë pa i larë duart?”. Por ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Mirë profetizoi Isaia për ju, hipokritë, siç është shkruar: “Ky popull me buzë më nderon, por zemra e tyre rri larg meje. Por kot më bëjnë një kult, duke mësuar doktrina, të cilat janë porosi nga njerëzit”. Duke lënë pas dore, pra, urdhërimin e Perëndisë, ju i përmbaheni traditës së njerëzve: larje brokash dhe kupash; dhe bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme” (Marku 7:5-8).

Hipokrizia gjendet midis atyre, që e nderojnë Perëndinë me buzë. “Prandaj Zoti thotë: “Me qenë se ky popull më afrohet mua vetëm me gojën dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg dhe frika e tij ndaj meje është vetëm një urdhërim i mësuar nga njerëzit” (Isaia 29:13). Këtu e kishte fjalën edhe Samueli, kur e qortoi Saulin: “Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve” (1 Samuelit 15:22). Atyre që janë fetarë, iu pëlqejnë veprimet, që duken të perëndishme nga ana e jashtme, por “Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën” (1 Samuelit 16:7).

Perëndia na shikon si zemrat, ashtu edhe ato që bëjmë e ato që themi. Adhuruesi i vërtetë nuk është ai, që i zbaton me përpikmëri ritet fetare, por ai, që e nderon Perëndinë me zemër: “Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:23-24). Sa njerëz ka që, me trup janë në kishë të dielën, por zemrën e kanë lënë të flejë gjumë në shtëpi? Mund të këndojmë si kori i ëngjëjve dhe ta dimë Biblën nga fillimi e deri në fund, por, nëse nuk i bëjmë këto gjëra me gjithë zemër për Perëndinë, atëherë besimi ynë është aq i pavlerë, sa edhe ai i Skribëve dhe i Farisenjve, sepse ata e fshihnin mëkatin e tyre pas fasadës së fesë.

Fjalët dhe veprat tona duhet të jenë në unitet me njëra-tjetrën. Perëndisë i pëlqen të dëgjojë lutjet e atyre, që vijnë tek Ai me besim të vërtetë. Në fakt, Ai iu përgjigjet vetëm këtyre lutjeve: “Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar” (Psalmi 51:17). Problemi me njerëzit fetarë qëndron këtu: ata e duan fenë e tyre më shumë sesa ç’duan Perëndinë dhe fjalën e Tij. Duhet ta duam Perëndinë, Zotin tonë me gjithë zemrën, me gjithë shpirtin e me gjithë forcën tonë (Ligji i Përtërirë 6:5).

Zemërngurtësia

U tha atyre akoma: “Ju jeni të shkathët për të anuluar urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj. E në fakt Moisiu tha: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde,” dhe: “Ai që mallkon atin ose nënën, të dënohet me vdekje”. Por ju thoni: “Në qoftë se dikush i thotë atit të vet ose nënës së vet: Gjithçka që mund të bëjë për ty është kurban, domethënë një ofertë Perëndisë,” nuk e lejoni atë të bëjë asgjë për atin e vet ose për nënën e vet, duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj, që ju e keni trashëguar. Dhe ju po bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme” (Marku 7:9-13).

Drejtuesit fetarë ishin fajtorë, ngaqë i kishin mohuar mësimet e qarta të Biblës dhe i kishin zëvendësuar ato me tradita të ngatërruara. Kur njerëzit fetarë prezantohen me atë, që kërkon vërtetë Perëndia sipas fjalës së Tij, ata zakonisht thonë: “Kështu kemi vepruar gjithmonë”, ose “Kështu beson kisha ime”. Gjithmonë e degradojnë Biblën, deri në atë shkallë, saqë e mohojnë atë plotësisht, në mënyrë që t’i lartësojnë dogmat dhe parimet e tyre. Zbatimi i riteve fetare është shpikje e Satanait, me qëllim që t’ia grabisë Perëndisë nderin dhe lavdinë. Ai (Satanai) i indoktrinon njerëzit, duke i bërë ata që të mendojnë se gjithçka shkon mirë mes tyre dhe Perëndisë, nëse i zbatojnë rregullat dhe ritet. Ai do që ata t’i denoncojnë të tjerët si mëkatarë, por të mos thonë kurrë se janë mëkatarë për vete.

Skribët dhe Farisenjtë ishin gati t’i shihnin prindërit e tyre të vdisnin nga uria, vetëm e vetëm që ata vetë të sillnin një ofertë tek altari, dhe, pa dyshim, të lavdëroheshin prej njerëzve, që i shikonin. A nuk e kuptonin se, duke vepruar kështu, ata po thyenin urdhërimin e pestë dhe ishin nën ndëshkimin e Perëndisë? “Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep” (Eksodi 20:12). Ishin nën zemërimin e Perëndisë, për shkak të zemërngurtësisë dhe vetë-drejtësisë së tyre.

Përfundim

Të sugjerosh se agjërimi, vajtja në haxhillëk, dhe ritet ta shpëtojnë shpirtin, është njëlloj sikur të thuash se Bibla nuk është e përsosur dhe se ne dimë më shumë sesa Perëndia. Është e tërë Bibla dhe asgjë tjetër përveç tërë Biblës, e cila është themeli dhe rregulli i besimit dhe i praktikës (së krishterë). Gjithçka që urdhëron Perëndia është e domosdoshme për shpëtim, por ajo që urdhëron njeriu, ia grabit Perëndisë lavdinë dhe e dënon shpirtin për në Ferr.

Mbrapa

Advertisements