Zoti i Fuqishëm dhe Djali i Pushtuar prej Demonit

Ka një dallim të madh mes vizionit të mahnitshëm në Malin e Shpërfytyrimit, që e studiuam herës së kaluar dhe gjendjes së mjeruar të djalit të demonizuar të këtij pasazhi. Tek Mali i Shpërfytyrimit, Zotin Jezus e pamë në lavdi. Por në këtë studim, prezantohemi me punën e ligë të Satanait në jetën e një shpirti të ri. Nuk do të mundohemi t’i hymë të gjitha detajeve, sepse vetë Marku e tregon qartë të gjithë historinë. Përkundrazi, do të shohim se ç’mësime mund të nxjerrim prej kësaj historie.

Mjeshtri

Mbasi u kthye te dishepujt, pa një turmë të madhe rreth tyre dhe disa skribë që po grindeshin me ta. Dhe menjëherë e gjithë turma, kur e pa, u habit dhe erdhi me vrap për ta përshëndetur. Atëherë ai i pyeti skribët: “Për çfarë po diskutoni me ta?” (Marku 9:14-16).

Kur u kthye nga mali, Zoti pa se nëntë dishepujt e Tij ishin shumë të hutuar. Pa dyshim, skribët po i hidhnin poshtë dishepujt, ngaqë ata nuk kishin mundur ta dëbonin dot frymën e ndyrë në emrin e Krishtit. Jezusi i kritikoi dishepujt për mosbesimin, që treguan, sepse Ai vetë iu kishte dhënë fuqinë për të dëbuar frymëra të ndyra. Por diçka po iua pengonte besimin dishepujve. Pak kohë më parë, ata kishin patur shumë sukses, duke i çliruar njerëzit prej demonëve: “Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd” (Luka 10:17). Por tani, nëpërmjet një përvoje, që do t’i përulte, ata do të mësonin se pa Krishtin, nuk mund të bënin dot asgjë: “Sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:5). Ndoshta për momentin, dishepujve mund t’iu jetë dukur i hedhur ky lloj mësimi, por sa herë që ta kujtonin këtë ngjarje, ata do ta kuptonin se duhej t’i besonin Zotit të Pushtetshëm, e jo forcave të tyre.

Ka raste që edhe ne jemi të prirur për ta lënë Zotin në baltë. Madje edhe disa prej martirëve, (si p.sh. Tomas Kranmer), kujtonin se do të arrinin t’iu bënin ballë flakëve të turrës së druve, por, shumë shpejt, u tërhoqën mbrapsht. Por, kur Kranmeri e lejoi Krishtin të ishte Zot i jetës së tij, ai iu bëri ballë flakëve për herë të dytë e pa e humbur besimin. Madje edhe njerëzit më të mirë të Perëndisë nuk kanë asgjë për t’u lavdëruar. Fuqia e tyre nuk është e tyrja, por e Krishtit. Samsoni i fuqishëm u bë i dobët si çdo burrë tjetër, pikërisht në momentin kur iu largua Fryma e Shenjtë: “Por nuk e dinte që Zoti e kishte braktisur” (Gjyqtarët 16:20). Kemi nevojë që hiri dhe prania e Krishtit të jete çdo ditë me ne. Pa Të, ne nuk mund t’i mposhtim dot tundimet dhe sprovat.

Mjerimi

Dhe dikush nga turma, duke u përgjigjur, tha: “Mësues, të prura djalin tim që ka një frymë memece, dhe e kap kudo, e përplas dhe ai shkumon, kërcëllon dhëmbët dhe i ngrijnë gjymtyrët. Dhe u thashë dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata s’e bënë dot. Dhe ai duke u përgjigjur tha: “O brez që s’beson, deri kur do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj? Ma sillni këtu!”. Dhe ata ia prunë. Por, sapo e pa, fryma e përplasi me forcë dhe fëmija, që kishte rënë përtokë, rrokullisej duke shkumuar. Dhe Jezusi e pyeti babanë e atij: “Sa kohë ka që i ndodh kështu?”. Dhe ai tha: “Që në fëmijëri. Shpesh e ka hedhur në zjarr dhe në ujë për ta shkatërruar por, nëse mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!” (Marku 9:17-22).

Ky djalë i ri kishte qenë i pushtuar që në fëmijëri prej një demoni. Shpesh nuk arrijmë ta kuptojmë dot kohën e fillimit të punës së Satanait në shkatërrimin e shpirtit të një individi. Prandaj edhe fëmijët duhet të rriten me dashurinë dhe fjalën e Perëndisë. Të shumtë janë ata fëmijë, të cilët janë të pushtuar prej demonëve, ngaqë shohin filma me dhunë, ngaqë luajnë lojra të dhunshme, apo ngaqë merren me punë të tjera të liga të Satanait. Sot, të gjitha problemet shoqërore, sidomos ato të shkaktuara prej të rinjve rrugaçë, nuk vijnë si rezultat i mungesës së edukimit apo të pasurisë, por janë rezultat i drejtpërdrejtë i ndikimit djallëzor (madje edhe i pushtimit prej demonëve) të këtyre të rinjve. Nuk e kanë fajin qeveria, apo shkolla, por familja, që nuk i ka edukuar që të vegjël me përgjegjësi në shtëpi. Djali i pushtuar prej frymës së ndyrë ndodhej në një gjendje të mjeruar. Por jo vetëm ai, por edhe ata që e rrethonin, jetonin një jetë të mjeruar për shkak të tij. I ati e dinte se përgjigja ndaj problemit që kishte, ndodhej tek     Jezusi. Dhe vetëm Jezusi mund ta kthejë këtë komb tonin për së mbari.

Fëmijët kurrë nuk janë shumë të vegjël për të ditur rreth gjërave, që kanë të bëjnë me Perëndinë, sepse djalli nuk humbet qoftë edhe një minutë kohë, duke u përpjekur për t’i influencuar mendjet e tyre e për t’i larguar ata prej Perëndisë. Në vend që zemrat e vogla të mbushen me Satanain, ato duhet të mbushen me Frymën e Perëndisë.

Përzierja

Dhe Jezusi i tha: “Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson”. Menjëherë babai i fëmijës, duke bërtitur me lot, tha: “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim” (Marku 9:23-24).

Sa të krishterë të vërtetë ka, që besojnë në Zotin, e prapëseprapë, në raste të caktuara, besimi i tyre i lë në baltë? Ka patur raste, kur i kemi humbur shpresat dhe jemi mbushur me frikë e shqetësim. Në shumicën prej nesh, egziston ai element mosbesimi, që na bëhet pengesë në rrugën tonë me Zotin.

I ati i këtij djali, të paktën, vuri në përdorim atë pak besim që kishte dhe i thirri Zotit. Nuk priti që të vinte tek Jezusi, derisa besimi t’i shtohej, apo t’i bëhej më i përsosur e më i fuqishëm. Jezusi është ilaçi edhe kundër mosbesimit tonë. Po të kemi një përzierje besimi e mosbesimi bashkë, atëherë edhe ai pak besim që na ka mbetur do të fillojë të na dobësohet. Prandaj duhet të kthehemi tek Zoti, për të marrë më shumë fuqi.

Mrekullia

Atëherë Jezusi, duke parë se po vinte turma me vrap, e qortoi frymën e ndyrë duke thënë: “O frymë memece dhe e shurdhët, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos hyr më kurrë tek ai!”. Dhe demoni, duke bërtitur dhe duke e sfilitur fort, doli prej tij. Dhe fëmija mbeti si i vdekur, saqë shumë njerëz thoshin: “Ka vdekur”. Por Jezusi e zuri për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë. Kur Jezusi hyri në shtëpi, dishepujt e vet e pyetën veçmas: “Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?”. Dhe ai u tha atyre: “Ky lloj frymërash nuk mund të dëbohet ndryshe, përveç, se me lutje dhe agjërim” (Marku 9:25-29).

Zoti mundi ta dëbonte frymën e ndyrë, edhe pse dishepujt nuk mundën. Ai thjesht foli me autoritet hyjnor dhe djalli ishte i detyruar t’i bindej. Në përmbledhjen e kësaj mrekullie tek Ungjilli sipas Mateut, Jezusi iu thotë dishepujve se duhet vetëm pak besim për t’i dëbuar demonët: “Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: “Zhvendosu nga këtu atje,” dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju. Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit” (Mateu 17:20-21). Ndoshta përmendja e agjërimit në këtë pasazh vë në dukje faktin se besimtarët kanë nevojë ta forcojnë besimin e tyre të dobët, duke kaluar më shumë kohë në lutje ndaj Perëndisë, sepse sa më shumë që bisedojmë me Të, aq më e madhe do të jetë fuqia jonë për t’i rezistuar djallit.

Satanai mund të jetë një armik i fuqishëm, keqdashës dhe i ligë. Por Shpëtimtari është gjithmonë me ne: “Ju jeni prej Perëndisë, o djem të rinj, dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë” (1 Gjonit 4:4)… “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” (Romakëve 8:31).

Përfundim

Për Satanain po përgatitet një zinxhir i madh dhe një ditë ai do të hidhet në Liqenin e Zjarrtë: “Dhe pashë një engjëll që zbriste nga qielli, duke pasur çelësin e humnerës, dhe një zinxhir të madh në dorë. Ai e kapi dragoin, gjarpërin e lashtë, që është djalli dhe Satani, dhe e lidhi për një mijë vjet… Atëherë djallin që i kishte mashtruar, do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit” (Zbulesa 20:1-2, 10)… “Tani Perëndia e paqes do ta dërmojë së shpejti Satananë nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju” (Romakëve 16:20).

Mbrapa

Advertisements