Zoti i Gjallë dhe Vajza e Vogël

Parathënie

Siç e pamë edhe në studimin tonë të mëparshëm, ndërkohë që Jezusi po shkonte për të shëruar vajzën e Jairit, Ai u ndal në mes të rrugës për të shëruar gruan me sëmundjen e gjakut. Në këtë studim, do të kthehemi prapë tek historia origjinale. Marku na e paraqet Zotin Jezus Krisht si më të fuqishëm se vdekja. E dimë se një ditë vdekja do të eliminohet përgjithnjë: “Do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen” (Isaia 25:8)… “Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja” (1 Korintasve 15:26).

Sëmundja

Dhe kur Jezusi kaloi përsëri në bregun tjetër me barkë, një turmë e madhe u mblodh rreth tij; dhe ai qëndroi në breg të detit. Atëhere erdhi një nga krerët e sinagogës, me emër Jair, që, kur e pa, i ra ndër këmbë, dhe iu lut me të madhe duke thënë: “Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë!”. Dhe ai shkoi me të. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej rreth tij… Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën disa nga shtëpia e kryetarit të sinagogës duke thënë: “Jote bijë ka vdekur; pse e bezdis akoma Mësuesin?” (Marku 5:21-24, 35).

Njerëzit, sado të pasur e të fuqishëm të jenë, nuk mund t’i mënjanohen sëmundjes dhe vdekjes. Si bijat e të varfërve, ashtu edhe ato të pasanikëve do të shkojnë “atje ku shkojnë tërë banorët e tokës” (1 Mbretërve 2:2). Paraja nuk të garanton as shëndetin, as jetëgjatësinë. Derisa të vijë Krishti, të gjithë do të vdesim: “Është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27).

Vetëm në Qiell nuk egziston mundësia e të qënit i sëmurë apo e të vdekurit: “Asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: “Unë jam i sëmurë”. Populli që banon aty do të përfitojë faljen për paudhësinë e tij” (Isaia 33:24)… “Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan” (Zbulesa 21:4). Për këtë arsye, duhet ta kemi mendjen tek “gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë” (Kolosianëve 3:2).

Vajtimi

Por Jezusi, sapo dëgjoi ç’u tha, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë, vetëm ki besim!”. Dhe nuk lejoi që ta ndiqte kurrkush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit, dhe Gjonit, vëllait të Jakobit. Dhe mbasi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, pa një rrëmujë të madhe dhe njerëz që qanin dhe ulërinin me të madhe” (Marku 5:36-38).

Lajmi i vdekjes së vajzës e kishte goditur rëndë Jairin, por Jezusi nuk u lëkund prej këtij lajmi. Ai po shkonte për ta shëruar fëmijën. Asgjë nuk e ndalon Jezusin, që ta realizojë atë veprim, që ka ndër mend ta kryejë. Ai do ta mbante premtimin, që i kishte dhënë Jairit. Jezusi e inkurajoi babanë e merakosur, duke i thënë që ta largonte hidhërimin dhe shqetësimin dhe të besonte se do ta shihte përsëri të bijën shëndoshë e mirë. “Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë “po” dhe në atë “amen,” për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh” (2 Korintasve 1:20).

Ndërkohë që grupi i njerëzve po i afrohej shtëpisë, ulërimat dhe të qarat e përcjellësve profesionalë të xhenazes (d.m.th. të atyre që paguhen enkas për të qarë mbi të vdekurin) sa vinin e bëheshin më të fuqishme. Sa shpejt e bën për vete turmën vdekja, sidomos kur bëhet fjalë për para!

Mrekullia 

Hyri dhe u tha atyre: “Pse bërtitni e qani? Vajza nuk ka vdekur, por fle”. Dhe ata e përqeshën, por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, mori me vete atin dhe nënën e vajzës dhe ata që qenë me atë, dhe hyri atje ku dergjej vajza. E mori, pra, për dore vajzën dhe i tha: “Talitha kumi”, që e përkthyer do të thotë: “Vajzë, ty po të them: Çohu!”. Dhe menjëherë vajza u ngrit dhe filloi të ecë. Ajo ishte në fakt dymbëdhjetë vjeçe. Dhe ata u habitën me habi të madhe. Por ai urdhëroi rreptësisht që askush të mos e marrë vesh; pastaj urdhëroi që t’i japin vajzës të hajë” (Marku 5:39-43).

Zoti Jezus Krisht i dha fund gjullurdisë (si asaj të ulërimave, ashtu edhe asaj të pagesës) së atyre që po vajtonin. Edhe pse nga pikëpamja klinike vajza kishte vdekur, prapëseprapë shpirti i saj nuk ishte larguar akoma prej trupit. Ai që është vetë “Jeta” (Gjoni 14:6), ka fuqinë për ta ribashkuar shpirtin me trupin. Të pranishmit kujtuan se vajza kishte vdekur, por ka shumë të ngjarë që ajo të kishte rënë në një gjendje të thellë kome, e cila, në disa raste, është njësoj si vdekja. Kjo ndoshta shpjegon arsyen se përse Jezusi tha se vajza po flinte. Jezusi thjesht i foli trupit pa jetë dhe vajzës së vogël iu kthye frymëmarrja. Fjalët “Talitha kumi” mund të përkthehen “Qengj i vogël, është koha për t’u ngritur nga gjumi” (Marrë nga Bibla Mësimore e Udhëtarit). Vdekja e saj kishte shkaktuar zhurmë të madhe, por ringjallja e saj solli “habi të madhe”. Jo vetëm që në trupin e saj kishte ndodhur diçka e mrekullueshme, por edhe vetë shtëpia u transformua nga një atmosferë vdekjeje e hidhërimi në një atmosferë jete e gëzimi. Çdo njeri, që ishte i pranishëm aty atë ditë, ishte takuar me Atë që ishte “Ringjallja dhe Jeta” (Gjoni 11:25). Nuk mund ta imagjinojmë dot lumturinë që do të ketë ndjerë Jairi, pasi Jezusi ia ktheu përsëri në jetë të bijën. Ai do ta ketë treguar e ritreguar me mijëra herë këtë histori. Mateu 9:26 na thotë se “fama e kësaj u përhap në mbarë atë vend”.

Një mrekulli më e madhe se kjo mund të ndodhë në shpirtrat e fëmijëve, të cilët Perëndia i ka vënë nën kujdesin tonë. Dëshira jonë është që t’i shohim ata të çliruar prej mëkatit dhe vdekjes, duke ecur “në risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Zoti mund t’i japë jetë çdo shpirti të vdekur të pjesëtarëve të familjes dhe të miqve tanë, ashtu siç i dha jetë edhe shpirtit tonë: “Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate” (Efesianëve 2:1).       

Përfundim 

Ringjallja e vajzës së Jairit është një shijim paraprak i asaj që Krishti do të bëjë për ne, kur të vijë për herë të dytë e t’ia ribashkojë frymën me shpirtin dhe trupin çdo personit, që ka jetuar mbi tokë: “Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur. Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur, sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin” (1 Thesalonikasve 4:14-17)… “Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky ivdekshëm të veshë pavdekësinë. Edhe ky trup që prishet, kur të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: “Vdekja u përpi në fitore”. O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote?” (1 Korintasve 15:51-55)… “Unë do t’i shpengoj nga pushteti i Sheolit, do t’i shpëtoj nga vdekja. O vdekje, unë do të jem murtaja jote. O Sheol, unë do të jem shkatërrimi yt” (Osea 13:14). Nuk do të humbasë qoftë edhe një prej qengjave të Tij, sepse Ai do ta mbajë premtimin e jetës me bollëk për të gjithë ata që besojnë: “Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10).

Mbrapa

Advertisements