Zoti i plotfuqishëm dhe Majaja e farisenjve

Drejtuesit fetarë të kohës së Jezusit kujtonin se ishin aq të mirë, saqë nuk kishin nevojë për shpëtimin me anë të hirit të Perëndisë. Mendonin se, po t’i zbatonin pikë për pikë ritet dhe ceremonitë fetare, do të ishin të drejtë përpara Zotit. E njëjta gjë ndodh edhe sot e 2000 vjet më vonë. Zoti e përdor situatën (e përshkruar tek Marku 8:14-21) për t’iu bërë dishepujve nëntë pyetje, të cilat bënë që ata ta vinin re dallimin mes doktrinës së vërtetë dhe asaj të rreme.

Paralajmërimi serioz 

Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s’kishin asgjë përveç një buke. Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: “Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!”. Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: “Nuk kemi bukë”. Jezusi e vuri re dhe u tha: “Përse diskutoni që s’keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë? Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend? Kur ndava të pesë bukët për të pesë mijtë, sa kosha plot me copa mblodhët?”. Ata thanë: “Dymbëdhjetë”. “Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtët, sa shporta plot me bukë mblodhët?”. Dhe ata thanë: “Shtatë” (Marku 8:14-20).

Dishepujt ishin konfuzë dhe nuk e kuptuan thënien e Jezusit lidhur me majanë e farisenjve dhe të Herodianëve. Mendja iu shkoi direkt e tek stomaku, në vend që t’iu shkonte tek gjërat shpirtërore. Zoti e kishte fjalën për mësimet e rreme dhe veprimet e korruptuara të drejtuesve fetarë, ashtu siç shihet qartë edhe tek Mateu 16:12, “Atëherë ata e kuptuan se ai nuk u kishte thënë të ruheshin nga majaja e bukës, por nga doktrina e farisenjve dhe të saducenjve”. Formaliteti vetë-kënaqës i farisenjve dhe materializmi i Herodianëve ishin gjëra të neveritshme në sytë e Perëndisë. Farisenjtë hiqeshin sikur ishin të shenjtë nga ana e jashtme, por, nga brenda, ishin të korruptuar. Herodianët ishin mosbesues imoralë, që e kishin mendjen vetëm për pozitë. Jezusi po i paralajmëronte pasuesit e Tij, që të ishin gjithnjë vigjilentë e të mos binin në kurthe të tilla.

Nuk kaloi shumë kohë – vetëm 2 shekuj – dhe kisha e harroi këtë paralajmërim. Deri në shekullin e tretë, krishtërimi kishte vuajtur një persekucion të ashpër, por sapo ai u pranua në Romë si fe shtetërore, të krishterët u prezantuan me çdo lloj doktrine dhe veprimesh të rreme. Mësuesit e rremë i kanë shkaktuar më shumë dëm kauzës së Krishtit, sesa ç’mund t’i shkaktonte persekucioni. Formaliteti dhe materializmi janë pjesë e kishave shtetërore të Anglisë, por ato nuk duhet të zënë vend në kishën e vërtetë të Perëndisë. Fatkeqësisht, shpesh ato janë pjesë edhe e kësaj kishe. Majaja e doktrinës së rreme dhe e materializmit do të zmadhohet e rritet aq shumë, saqë do ta shtrëmbërojë edhe të vërtetën, që predikohet në kishën e Perëndisë. Kjo maja vazhdon të ngrihet e të fryhet, derisa e ndryshon krejt vetë natyrën e krishtërimit.  Në kisha të tilla, Bibla abuzohet, sa herë që lexohet: “…disa gjëra të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrëmbërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera, për përhumbjen e tyre” (2 Pjetrit 3:16).

Duhet ta kontrollojmë jetën tonë, për t’u siguruar se nuk na ka hyrë brenda as edhe një copë e vogël majaje. Po ta bëjmë këtë nga ana individuale, atëherë ka mundësi që doktrina e rreme dhe materializmi të mos zënë vend fare në kishën tonë: “Analizoni veten tuaj a jeni në besim; provoni veten tuaj! A thua nuk e njihni vetveten se Jezu Krishti është në ju? Veç në qofshi të përjashtuar” (2 Korintasve 13:5). Siç nuk e tolerojmë aspak vrasjen, apo vjedhjen, ashtu nuk duhet ta tolerojmë as edhe doktrinën e rreme apo imoralitetin, sado të parëndësishme që të duken. Po e lejuam një herë të ligën (sado e vogël të jetë ajo) të na hyjë në zemër, atëherë kush e di se ku do të na çojë e sa shumë do të na mashtrojë. Jo vetëm që do të infektonim veten tonë,  por edhe tërë kishën. “Pak maja e bën të vijë gjithë brumin” (Galatasve 5:9). Ashtu si majaja, edhe doktrina e rreme përhapet shpejt dhe pa zhurmë, derisa infekton gjithkçka, që i del përpara.

Të paditurit kthjellohen  

Dhe ai u tha atyre: “Po si, ende nuk po kuptoni?” (Marku 8:21).

Në vargjet e mëparshme, Jezusi na jep arsyen se përse dishepujt nuk e kuptuan se për çfarë e kishte fjalën Ai. Zemrat i kishin të ngurtësuara prej mosbesimit, ashtu siç thotë edhe teksti pararel tek Mateu 16:8, “O njerëz besimpakë”. Nuk e kishin kuptuar akoma se kush ishte me të vërtetë Jezusi. Nuk i shihnin dot akoma gjërat nga pikëpamja shpirtërore. Sytë i kishin të verbuar dhe mendjet të mpira prej mishit. “Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës. Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontrolluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe. Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet” (Romakëve 8:5-7). “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14).

Ndoshta mund të tundohemi për t’ia bërë qejfin vetes, ngaqë nuk merremi as me doktrina të rreme, as me gjëra të mishit. Por duhet të tregojmë kujdes që të mos e lejojmë mendjemadhësinë të na zërë rrënjë në zemër. Edhe pse mund të dimë shumë gjëra rreth të vërtetës së Perëndisë, prapëseprapë, nuk jemi akoma të përsosur në të kuptuarit tonë: “Në qoftë se dikush mendon se di diçka, ai nuk di ende asgjë sikundër duhet të dijë” (1 Korintasve 8:2).

Edhe pse dishepujve iu shkoi mendja drejt e tek stomaku, Jezusi e përdori keqkuptimin e tyre për t’iu ilustruar një të vërtetë të rëndësishme. Si besimtarë që jemi, duhet të besojmë se Ai është në gjendje për të na siguruar gjithçka, që na nevojitet. Nëse Ai, si Krijues që është, mundi që t’i ushqente turmat e njerëzve, atëherë Ai është në gjendje të na plotësojë edhe çdo nevojë tonën: “Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë” (Psalmi 37:25).        

Përfundim

A i besojmë Zotit, apo vetë-drejtësisë sonë? “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd” (Fjalët e Urta 3:5). A nuk mundemi që ta pranojmë se Ai kurrë nuk na konsideron si njerëz të pashpresë e të padobishëm? Le ta shfarosim fenë e farisenjve prej kishës sonë, duke u kapur fort pas besimit “që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë” (Judës :3).

Mbrapa

Advertisements