Zoti Sovran dhe Gruaja e Sëmurë

Parathënie

Tema kryesore e pasazhit, që gjendet tek Marku 5:25-34, është shërimi i gruas së sëmurë. Jezusi po shkonte tek shtëpia e Jairit, kur, papritur, Ai ndalet nga një grua, e cila kishte 12 vjet që vuante nga një sëmundje. Do t’iu kthehemi vargjeve 21-24 në studimin tonë të ardhshëm.

Mallkimi

Tani një grua që kishte një fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq” (Marku 5:25-26).

Kjo grua kishte 12 vjet që vuante nga hemoragjia e gjakut. Kishte kërkuar ndihmë mjekësore nga doktorë të ndryshëm, por, në të njëjtën kohë, ishte varfëruar e dobësuar edhe më shumë. Pa dyshim, që ajo shpresonte dhe lutej për një shërim të shpejtë, por, pak nga pak, po i humbte shpresat. Kur, papritur, dikush i tregoi asaj për Jezusin: “Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës” (Fjalët e Urta 13:12).

Ishte mëkati i Adamit arsyeja që kjo grua ishte në një gjendje të tillë, sepse mëkati i Adamit është shkaku për të gjithë dhimbjen dhe vuajtjen në botë.

Turma

Kur dëgjoi të flitej për Jezusin, u fut në turmë dhe pas shpinës preku rrobën e Jezusit, sepse thoshte: “Nëse vetëm ia prek rroben e tij, do të shërohem” (Marku 5:27-28).

Kishte shumë njerëz, që i shkonin pas Jezusit, ndërkohë që Ai po nisej drejt shtëpisë së Jairit. Prandaj duhet të ketë patur edhe shumë të shtyra prej tyre. Por gruaja e sëmurë nuk e kishte problem turmën. Ajo e çau rrugën mes përmes turmës, derisa arriti të ishte në kontakt me Zotin. Besonte se do të shërohej, po ta prekte qoftë edhe vetëm cepin e rrobës së Tij. Ndoshta ajo erdhi tek Jezusi në këtë mënyrë, për arsye se i vinte turp nga problemi që kishte, sidomos ngaqë konsiderohej e papastër. Sipas Ligjit të Moisiut, një grua që vuante nga çrregullime menstruale, konsiderohej e papastër nga ana fetare: “Në qoftë se një grua ka një fluks gjaku prej disa ditësh jashtë kohës së papastërtisë së zakoneve, ose fluksi vazhdon tej kohës së duhur, ajo do të jetë e papastër për gjithë ditët e fluksit të papastër, ashtu si është në ditët e papastërtisë së saj të zakoneve” (Levitikut 15:25). Me qindra njerëz e kishin prekur më parë Jezusin, por vetëm njëri prej tyre (kjo grua) përfitoi prej kësaj prekjeje, sepse vetëm njëri prej tyre (kjo grua) e kërkoi Jezusin me dëshirë të madhe në shpirt.

Nuk duhet të habitemi, po ta dimë se ka shumë njerëz, që i shkojnë pas Jezusit sot për arsye të gabuara, ashtu siç i shkonin pas Atij edhe kur ishte në tokë. Por, të paktë janë ata, që marrin bekime, ngaqë i varin me besnikëri shpresat tek Ai. Ata që vijnë tek Jezusi, për t’u kënaqur e për t’u argëtuar, gjithmonë kthehen mbrapsht duarbosh.

Ilaçi

Dhe menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje. Por menjëherë Jezusi, duke e ndjerë në vete që një fuqi kishte dalë prej tij, u kthye midis turmës, tha: “Kush m’i preku rrobat?” (Marku 5:29-30).

Sapo gruaja e preku cepin e rrobës së Tij, ajo u shërua plotësisht. Brenda një çasti, ajo e ndjeu se diçka e mrekullueshme kishte ndodhur në trupin e saj. Asnjë doktor nuk mund ta bënte atë ditë atë, që kishte bërë Zoti për të. Vetëm Mjeku i Madh mund të thotë: “Unë jam Zoti që të shëron” (Eksodi 15:26).

Një mëkatar mund të gjejë qetësi e paqe për shpirtin, vetëm po të vijë tek Krishti. Përgjigja ndaj të gjitha problemeve të njeriut mund të gjendet vetëm tek Shpëtimtari. Vetëm një prekje e besimit të vërtetë mjafton për ta pastruar shpirtin nga sëmundja e mëkatit dhe për ta çliruar atë nga barra e rëndë e dënimit. Zoti e di se kur e prek dikush Atë me besim të vërtetë në zemër. Ai e dëgjon lutjen e të drejtit, edhe në mes të lutjeve të miliona njerëzve të tjerë: “Zoti u rri larg të pabesëve, por dëgjon lutjet e të drejtëve” (Fjalët e Urta 15:29)… “Shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt” (Jakobi 5:16).

Miratimi

Dhe dishepujt e vet i thanë: “A nuk po e sheh që turma po të shtyhet nga të gjitha anët dhe ti thua: “Kush më preku?”. Por ai vështronte rreth e qark për të parë atë që bëri këtë. Atëhere gruaja, plot frikë e duke u dridhur, duke ditur se ç’i kishte ndodhur, erdhi dhe i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën” (Marku 5:31-33).

Jezusi është Zot Sovran, ndaj edhe duhej ta dinte se kush e preku, por Ai po priste një deklarim besimi prej personit që e preku. Dishepujt nuk e dinin se ç’kishte ndodhur, prandaj edhe nuk e kuptuan pyetjen e Jezusit. Gruaja mund të ishte tërhequr e fshehur pas turmës, sepse madje edhe po ta pranonte se kishte qenë aty pranë Jezusit, ajo do të trajtohej ashpër nga spektatorët e pranishëm. Zoti donte që ajo të merrte, jo vetëm shërim të trupit, por edhe një fjalë miratimi dhe inkurajimi. Deklarimi përpara publikut i besimit të saj tek Jezusi, ishte dëshmi për të gjithë të pranishmit.

Është mirë të kesh besim në zemër, por nuk mund ta mbajmë sekret mrekullinë më të madhe nga të gjithë të tjerat: “Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim” (Romakëve 10:10).

Shkaku

Dhe ai i tha: “Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!” (Marku 5:34).

Gruaja e preku Jezusin me besim. Atë ditë, Zoti e lëvdoi atë për besimin e saj. Besimi i saj ishte i thjeshtë, por i fuqishëm. Nga të gjitha dhuratat e tjera të krishtera, besimi është dhurata më e përmendur në Bibël. Është ky hir, që i sjell lavdi më të madhe Perëndisë. Është besimi ai, që na bën të jetojmë për Perëndinë: “Sepse ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit” (2 Korintasve 5:7). Besimi na bën triumfatorë: “Kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë” (1 Gjonit 5:4). Besimi që lëviz malet, nuk duhet të jetë i cekët, por i sinqertë (Mateu 17:20).       

Përfundim

Zoti kurrë nuk ka ndryshuar. Hiri i Tij është akoma i mjaftueshëm: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 Korintasve 12:9) dhe Ai është akoma “i fuqishëm për të shpëtuar” (Isaia 63:1). Po të kishim qoftë edhe një gram të besimit që kishte gruaja e studimit tonë, atëherë do të bënim gjëra të mëdha për Zotin. Varet sa të gatshëm jemi të dalim përpara e ta prekim Atë!

Mbrapa

Advertisements