Jodi – Fjala ngushëlluese

Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua. Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde. Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde. Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd. Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime. U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua. Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua. Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.” (Psalmi 119:73-80).

Parathënie  

Autori i psalmit vazhdon të na tregojë rreth vuajtjeve të tij dhe rreth persekutimit, që po i bënin “mendjemëdhenjtë”. Por ai gjithashtu e pranon faktin se Perëndia e ka një arsye pse e ka lejuar një sfidë të tillë besimi. Zoti po shfaq mëshirën e Tij nëpërmjet kësaj situate, duke e mbrojtur dhe duke e ruajtur autorin në çdo hap.

Krijuesi

Nuk mund të themi dot se kemi besim të vërtetë, po nuk besuam se Zoti e krijoi dhe i dha trajtë gjithçkaje, ashtu siç na thuhet tek Zanafilla. Nuk mund të kemi dot një Shpëtimtar, nëse nuk e pranojmë Atë si Krijuesin e universit. “Sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të. Ai është përpara çdo gjëje dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në të” (Kolosianëve 1:16-17)… “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë” (Gjoni 1:1-3). Autori i psalmit e di se ishin duart e Zotit ato që e “bënë” dhe i dhanë “trajtë” – ai nuk ishte produkt i një transformimi miljona vjeçar! Ai thotë se Zoti e krijoi dhe i dha formë, ashtu siç i jep formë poçari argjilës. “Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur” (Jeremia 1:5)… “Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë” (Zanafilla 2:7). 

Për më tepër, autori i psalmit e di se Zoti po i jep formë jetës së tij, sipas vullnetit të Perëndisë. Zoti na krijoi, ndaj edhe Ai dëshiron që të na mësojë fjalën e Tij. Prandaj edhe autori lutet: “Më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua”. Krijuesi “e krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë” (Zanafilla 1:27). Por ngaqë mëkati erdhi nëpërmjet Adamit, është e domosdoshme që shpirti ynë të rilindet (Gjoni 3:3), me qëllim që shëmbëlltyra e Krishtit të jetë brenda nesh. “Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit” (1 Korintasve 15:49). Ditë për ditë, me anë të fjalës së Tij, Zoti na jep trajtë, me qëllim që të reflektojmë karakterin e Tij në këtë botë. Ata që i besojnë dhe i binden fjalës së Perëndisë, kanë për të qenë si drita të ndriçueshme në mes të errësirës së mëkatit. “Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë. Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t ‘i rrëzojë” (Fjalët e Urta 4:18-19). Prandaj edhe Jezusi tha: “Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet. Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t ‘u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi. Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:14-16). Ata që “kanë frikë” prej Zotit, kanë për t’u shpëtuar, kur jetojnë një jetë të perëndishme, në përputhje me fjalën e Tij.

Ngushëlluesi

E dimë se Fryma e Shenjtë është “Ngushëlluesi” (Gjoni 15:26), i Cili i ngushëllon vërtet të Tijët, në momente sprovash dhe vështirësish. Shpeshherë, Zoti i lejon vuajtjet të ndodhin në jetën tonë, që të na bëjë edhe më të përkushtuar ndaj Tij. Besimtari i vërtetë e kupton se edhe në situata të tilla, Perëndia është besnik dhe e mban fjalën, prandaj edhe marrëdhënia që ka ai me Zotin, forcohet edhe më shumë. Sikur mund ta imagjinojmë sesa i lumtur është autori i psalmit, pavarësisht nga vështirësitë që ka kaluar. “Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri” (Jakobit 1:2-3). Thjesht të medituarit mbi fjalën e Perëndisë, ia ngriti autorit lart shpirtin! Ai e di se Zoti, të Cilit i shërben, nuk është kurrë i pamëshirshëm, por i bekon besimtarët me mirësi. “Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij” (Psalmi 145:9)… “Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj. Është një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikëria jote” (Vajtimet 3:21-23).

Dhembshuria, mëshira dhe besnikëria e Perëndisë i përngjan besëlidhjes që ka bërë Ai me ne përmes Krishtit. Autori i letrës drejtuar Hebrenjve shkroi kështu: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5). Është kjo “shpresë”, që na jep forcë për të jetuar dhe për të vazhduar për ta ndjekur Zotin. I kemi zënë besë Perëndisë së “çdo ngushëllimi” (2 Korintasve 1:3), ndaj edhe gjejmë kënaqësi në fjalën e Tij. Nëse e ndjejmë se nuk i përballojmë dot vështirësitë, le t’i afrohemi fronit të mëshirës së Perëndisë. “Le t ‘i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Hebrenjve 4:16).

Shkaku

Nuk kishte asnjë shkak apo “arsye” pse autori po persekutohej prej të padrejtëve. Ai thjesht dëshironte të jetonte një jetë të perëndishme, por armiqtë e tij e urrenin Zotin. Ai lutet që mendjemëdhenjtë të “ngatërrohen” apo të turpërohen, jo vetëm për vuajtjet, që po i shkaktonin autorit, por edhe si pasojë e ligësisë së tyre. Po e trajtonin atë “në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye”, duke përhapur thashetheme dhe gënjeshtra. Autori i lutet Zotit që t’ia ruajë zemrën “të paqortueshme” dhe të sigurtë në besim, me qëllim që ai vetë të mos ngatërrohet. Ai gjithashtu thotë se ka dëshirë që ta rrethojë veten me besimtarë të tjerë, që kanë të njëjtat mendime si ai dhe që, pa dyshim, janë në gjendje për ta inkurajuar.   

Përfundim

Po ne, a jemi aq të fortë dhe aq të sigurtë në besimin tonë ndaj Zotit, pavarësisht nga problemet, me të cilat mund të ballafaqohemi në jetë? Gjithçka varet nga gatishmëria jonë për t’i zënë besë fjalës së Zotit. A kemi besim se Zoti na ka dhënë drejtësinë e Tij? “Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët, madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim; sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë, por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus” (Romakëve 3:22-24). Për këtë arsye e dimë se jemi me të vërtetë fëmijë të Perëndisë. “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës” (Romakëve 8:1). Nëse fjalë të tilla nuk na sjellin ngushëllim, atëherë mjerë ne!

Mbrapa