Bindja sipas Biblës (Pjesa 3)

Tema e bindjes paraqitet kaq qartë në Dhiatën e Re, saqë është për t’u habitur se pse kaq shumë njerëz e konsiderojnë këtë temë të parëndësishme. A nuk çnderohet Perëndia, kur kjo e vërtetë me vlerë jetësore nuk përfillet fare? Është e pamundur të ndodhesh në rradhën e atyre që janë besnikë, po qe se bindja nuk është pjesë e jetës tënde të krishterë. 

Mësimi i Jezusit rreth bindjes

Zoti Jezus Krisht erdhi në këtë botë për të paguar sakrificën më të madhe për mëkatin. Gatishmëria që tregoi Ai për të vdekur në kryq, ishte pjesë përbërëse e bindjes së Tij ndaj të Atit: “Ja, unë vij për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd” (Hebrenjve 10:9)… “Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar” (Gjoni 5:30). Për këtë e kishte fjalën edhe Pali, kur shkroi: “Dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:8).

Mësimet e Jezusit përmbajnë shumë të dhëna lidhur me domosdoshmërinë për t’u bindur. Në fakt, Ai thotë se pasuesit e Tij duhet t’i binden Atij, nëse duan të shkojnë në Qiell: “Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej” (Mateu 7:21). Është e qartë, pra, se është e pamundur të jesh i krishterë, pa patur bindje ndaj Zotit: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia… Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij”… “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai. Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia” (Gjoni 14:15, 21, 23-24). Pak rëndësi ka se sa pak (apo shumë) iu japim llustër këtyre thënieve; një gjë është e qartë se mosbindja është shenjë që tregon se ne nuk e duam Zotin: “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij” (Gjoni 15:10).

Sot, kjo lloj bindjeje nuk predikohet në katedrat e kishave tona, sepse shumicës së njerëzve, kjo bindje iu duket e vështirë për t’u kuptuar. Nuk është për t’u habitur, pra, se në këto kisha mungon fuqia e Perëndisë. Duhet që të ketë një kthim të besimtarëve drejt bindjes me gjithë zemër ndaj Perëndisë. 

Mësimi i Apostujve rreth bindjes

Edhe apostujt dhanë mësim rreth domosdoshmërisë për t’u bindur. Në këtë studim, do të shohim se ç’thanë Pjetri, Pali, Jakobi dhe Gjoni rreth kësaj teme.

a) Pjetri. Pjetri e kuptoi se bindja ishte një element i rëndësishëm në jetën e besimtarit, edhe po qe se kjo bindje të çonte në vuajtje dhe vdekje. Ai iu tha me guxim atyre që e kundërshtonin predikimin e tij: “Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve” (Veprat e Apostujve 5:29). Kjo lloj bindjeje është bindje aktive (vepruese) dhe jo pasive. Pjetri nuk do ta pranonte idenë që thotë se një person i pabindshëm ndaj Perëndisë mund ta ketë Frymën e Shenjtë: “Dhe për këto gjëra ne jemi dëshmitarë të tij, si edhe Fryma e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden atij” (Veprat e Apostujve 5:32). Bindja ndodhet në vetë natyrën e fëmijës së Perëndisë: “Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj, por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj” (1 Pjetrit 1:14-15). Në fakt, nuk mund të deklarojmë se jemi të shenjtë, po s’qemë të bindur: “Mbasi të pastroni shpirtrat tuaj me bindjen ndaj së vërtetës me anë të Frymës, për të pasur një dashuri vëllazërore pa hipokrizi, të doni fort njeri tjetrin me zemër të pastër” (1 Pjetrit 1:22).

b) Pali. Ç’është besimi pa bindjen? Tek Romakëve 1:5, Pali na e tregon se sa të pandarë nga njëri-tjetri janë besimi dhe bindja: “Me anë të të cilit ne kemi marrë hir dhe apostullim, për bindje në besim midis të gjithë kombeve për hir të emrit të tij”. Në fund të së njëjtës letër, ai shkruan: “Por tani u shfaq e u zbulua me anë të Shkrimeve të profetëve, sipas urdhërimit të Perëndisë të përjetshme dhe u njoh ndër të gjitha kombet, për t’i sjellë në dëgjesën e besimit” (Romakëve 16:26). Prandaj, ata që thonë se kanë besim, duhet t’i binden Perëndisë: “Sepse nuk do të guxoja të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t’i sjell në dëgjes johebrenjtë me fjalë dhe me vepër” (Romakëve 15:18). Pali na mëson se bindja (dëgjesa) jonë duhet t’i përngjajë asaj së Krishtit: “Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:5-8). Kjo është e vetmja mënyrë, me anë të së cilës me të vërtetë mund t’i sjellim lavdi Perëndisë: “Dhe se ai ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq dhe u ringjall për ta” (2 Korintasve 5:15). 

c) Jakobi. Sot, “Veprimtaria e Besimit” (Faith Movement – një lloj rryme jo-biblike) përplaset shumë herë me librin e Jakobit. Edhe pse Abrahami u justifikua (u quajt i drejtë) me anë të besimit, besimi i tij kishte si pjesë përbërëse edhe bindjen ndaj Perëndisë: “Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar? Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos” (Jakobi 2:21-22). Besimi, pa bindjen, është i vdekur: “Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete… Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi… Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur” (Jakobi 2:17, 24, 26). Shumë vetë e dëgjojnë të vërtetën, e deklarojnë dhe e shpallin atë, por të paktë janë ata që e zbatojnë: “Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten… Ndërsa ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet” (Jakobi 1:22, 25).

d) Gjoni. Apostulli Gjon përdor disa prej shprehjeve më të forta që ndodhen në Bibël lidhur me bindjen. Ata që thonë se janë të krishterë, por nuk i binden Perëndisë, janë në fakt hipokritë dhe gënjeshtarë: “Ai që thotë: “Unë e kam njohur atë”, dhe nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të” (1 Gjonit 2:4). Bindja është provë e saktë se Krishti është brenda nesh: “Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë. Dhe nga kjo ne dimë se jemi në të vërtetën dhe do t’i bindim zemrat tona para atij; sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë. Shumë të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë; dhe ç’të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij” (1 Gjonit 3:18-22). Pasuesi i bindshëm i Krishtit kurrë nuk dyshon se Perëndia e do: “Nga kjo ne dimë ti duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij. Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda” (1 Gjonit 5:2-3).

Përfundim

Nëse bindja zë një vend kaq të rëndësishëm në Bibël, pse ndodh, atëherë, që ajo mospërfillet kaq serbes nga kisha e ditëve të sotme? Në thelb të kësaj mosbindjeje duhet të jetë dashuria për mëkatin, e cila është gjithashtu shkaku i dështimit tonë në lutje dhe në vepra. Sa më shumë që t’i bindemi Perëndisë, aq më shumë do të kënaqemi me praninë e Tij. Bindja duhet të jetë pika e fillimit dhe e mbarimit të jetës sonë të krishterë. Pa bindjen, besimi është i mangët. Të besosh me besim të vërtetë do të thotë t’i dorëzohesh plotësisht vullnetit dhe qëllimeve të Perëndisë.

Mbrapa